Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka liruar nga detyra zëvendësministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, pas deklaratave të tij publike që ngritën akuza të drejtpërdrejta ndaj diplomatëve dhe institucioneve ndërkombëtare.
Vokrri kishte akuzuar përmes rrjeteve sociale diplomatë të huaj, përfshirë ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, se, sipas tij, kishin rol nxitës në tensionet e fundit në veri të vendit.
Në një reagim zyrtar, Zyra e Kryeministrit bëri të ditur se qëndrimet e Vokrrit nuk reflektojnë pozicionin zyrtar të Qeverisë së Kosovës.
“Lirimi nga detyra është në funksion të ruajtjes së integritetit institucional dhe të raporteve me partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Komunikim Publik të Kryeministrisë.
- Advertisement -
Ky vendim vjen në një kohë të ndjeshme për politikën e jashtme të Kosovës, e cila synon të ruajë stabilitetin institucional dhe bashkëpunimin me partnerët strategjikë ndërkombëtarë.