Kancelari gjerman Scholz e presidenti francez Macron, e kanë bërë të qartë se pa e njohur pavarësinë e Kosovës, s’ka integrim evropian as për shtetet në rajon. Kështu deklaroi sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dy ditë para takimit në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Kurti tha se sa më shpejtë që fqinjët tanë e kuptojnë këtë, aq më mirë edhe për ta do jetë.
“Kosova e ka pasur të qartë gjithnjë se opsioni i vetëm është Evropa. Të mos harrojmë se edhe kancelari gjerman edhe presidenti francez e kanë bërë të qartë se pa njohur pavarësinë e Kosovës nuk do të ketë integrim evropian as për fqinjët tanë. Sa më shpejt që e kuptojnë, aq më mirë edhe për ta”, tha Kurti gjatë ditës së sotme.
Ai foli edhe për procesin e “Ballkanit të Hapur” duke thënë se kanë dalë kundër një nisme ku Kosova nuk pritej si e barabartë me shtetet e tjera. Por, Kurti tha se vendi ynë ka qenë proaktiv në nismat tjera si ajo e Procesit të Berlinit.
- Advertisement -
“Kosova ka hedhur hapa solid përpara në forcimin e partneritetit rajonal si promovuese e paqes dhe bashkëpunimit. Ne kemi kritikuar nismat si Ballkani i Hapur ku Kosova nuk pritej si e barabartë dhe tendenca për ta hapur Ballkanin për autokratët e lindjes e verilindjes siç është e hapur Serbia është e qartë.
Por ne kemi qenë proaktiv për nismat si Procesi i Berlinit. Në Berlin, pas afro 2 vite negociata, në nëntor të vitit 2022 janë nënshkruar tri marrëveshje, prej 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe para dy ditësh kuvendi i ratifikoi me propozim të qeverisë duke treguar kështu seriozitetin tonë në raport me integrimin rajonal e atë evropian. Nuk mund të lë Gjermanin që po i prin këtij procesi”, u shpreh Kurti ndër të tjera.