Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pret që kreu i qeverisë spanjolle, Pedro Sanchez të ndryshojë qëndrimin e tij për njohjen e Kosovës, pasi sipas tij, rasti me Katalonjën nuk është i njëjtë.
Spanja është një nga pesë vendet e BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, së bashku me Greqinë, Rumaninë, Qipron dhe Sllovakinë.
Në një intervistë për gazetën më të madhe spanjolle “El Pais”, Kurti thotë se brenda ish- Federatës Jugosllave, Kosova ishte pjesa më e varfër e vendit dhe më e shfrytëzuara, ndërkohë që Katalonja dhe vendi bask janë rajonet më të pasura të Spanjës.
Sipas Kurtit “raporti i menaxhimit jugosllav ndaj Kosovës ishte kolonial, i ngjashëm me atë të Francës në raport me Algjerinë”.
- Advertisement -
Për Kurtin nuk ka asgjë shqetësuese që Madridi dhe Barcelona t’i zgjidhin me dialog gjërat e tyre meqenëse Spanja është një vend demokratik, ndërsa Prishtina dhe Beogradi kanë probleme pasi “Serbia është shtet autokratik”.