Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian duhet të largohen para shpalljes së zgjedhjeve në veri.
Kryeministri Kurti, në konferencë për medie, pas mbledhjes së qeverisë theksoi se kjo nuk është kushtëzim ndaj BE-së, por është rrjedha logjike e gjërave që duhet të ndodhin.
“Po përgatitemi që të ketë zgjedhje të parakohshme në veri e për këto masat që janë marrë ndaj nesh e që janë quajtur të përkohshme e të kthyeshme, natyrisht që presim që të hiqen sa më parë e është e logjikshme që kjo të ndodhë paraprakisht. S’bëhet fjalë për kushtëzime, por për rend logjik të gjërave që duhet ta ketë si hap të parë zbatimin e dakordimit ndërmjet Bislimit e Lajçakut për 3 qershorin, i realizuar në Bratislavë dhe e krijon normalitetin minimal për zgjedhjet e parakohshme”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.
Për takim me kryetarët e komunave në veri, ai ka thënë se i njeh e se kur i takon u thotë që “kur ecën rroga duhet të dilet në punë”.
- Advertisement -
“Problemi me nuk është a ka a s’ka takim, por është që unë them se duhet me shku në punë se po të ec rroga. Kur të ec rroga, duhet me shku në punë. E këtu ndoshta është njëlloj vështirësie dhe dallimi me kryetarin e partisë që ka zhvilluar takim të këndshëm atje”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti ka folur edhe për lirimin e serbëve të dyshuar për sulme në veri, duke thënë se nuk është i kënaqur në përgjithësi me punën e Prokurorisë.
Duke folur për hetimet nga Task-forca antikorrupsion ndaj pesë ministrave të Qeverisë së tij, Kurti ka thënë se nuk është i informuar.