Kosova menjëherë pas liberalizimit të vizave duhet të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), kështu tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke diskutuar në Institutin “Karl Renner” në Vjenë.
Kurti gjithashtu ka shtuar see liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është i vonshëm. Ai ka thënë se Kosova po bën përpjekje tash që t’i mbajë qytetarët në shtëpi.
“Menjëherë pas liberalizimit Kosova e meriton dhe duhet të marrë statusin e vendit kandidat. Shpresoj që t’i përgjigjemi me zell mijrëa pyetjeve që znj. Ursula von Der Leyen do të na i bëjë ne, pasi t’i thotë Këshilli Evropian. Liberalizimin po ta fitonim para disa vjetëve do të ishte më i rëndësishëm për Kosovën sesa që është tash. Po përpiqemi t’i mbajmë njerëzit në vendin tonë, nëpërmjet ‘ausbildung’ siç e quani, kjo ndërlidhje e arsimit me tregun e punës. Kur ekonomia e arsimi nuk komunikojnë mirë atëherë fiton migrimi. Ne si hakmarrje e ëmbël po marrim modelin gjerman që njerëzit të mos shkojnë më në Gjermani”, ka thënë Kurti.
Kurti ka folur edhe për aspiratat e Kosovës që të anëtarësohet në NATO e po ashtu edhe për njohjen nga pesë shtetet e BE-së që ende se kanë njohur Kosovën, Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.
- Advertisement -
Gjatë diskutimit Kurti është pyetur edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Kurti ka thënë se dyshon që qëllimi i Serbisë kishte qenë që të shtyjë policinë e Kosovës ta sulmojë Manastirin e Banjskës.
Kurti ka shtuar se “plani B i Serbisë ishte që të shtynte Kosovën ta dërgonte FSK-në në veri pa pëlqimin e NATO-s, e më pas të thotë ndaleni ushtrinë e Kosovës ose po hyjmë ne me ushtri. Por, asnjëri nga skenarët nuk u realizua, kështu që dolëm fitimtar. Tash duhte ekstradimi i grupit të Milan Radoiçiqit, duhet arrestuar anëtarët e Brigadës së Veriut dhe Mbrojtjes Civile, që i shpallëm organizata terroriste”.
Kurti ka thënë se duhet bashkëpunim ndërkomunal në gjithë Kosovën, porse kundrejt Serbisë ka thënë se duhet të jenë të qartë.
Kurti po ashtu ka përmendur takimin e fundit në Bruksel, ku tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sërish refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes.