Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pasi Kuvendi ka miratuar sonte në lexim të dytë Projektligjin për Fondin Sovran.
Kurti ka thënë se me këtë Kosova u vendos në hartën financiare të rajonit dhe të Evropës.
“vumë bazën për krijimin e një trashëgimie për gjeneratat e ardhshme. Fondi Sovran do të punojë që t’i forcojë ndërmarrjet publike të vendit dhe ato t’i shndërrojë në korporata të fuqishme të vendit dhe më tej. Fondi Sovran do të sjellë një cikël të ri investimesh në vend duke e lidhur Kosovën me tregjet botërore financiare dhe duke e ngritur dhe shtuar qarkullimin e kapitalit investiv për gjithë ekonominë e vendit. “, ka shkruar ai në Facebook.
Më tej i pari i Qeverisë ka thënë se miratimi ligjit është vemtëm hapi i parë, pasi që sipas tij Qeverinë e presin punë të shumta në ndërtimin e strukturës organizative të Fondit Sovran dhe në thellimin e reformave në sektorin publik për përgatitjen e ndërmarrjeve që do të inkorporohen si asete të Fondit Sovran.
- Advertisement -
“Për këtë ne do të vazhdojmë të punojmë me ekspertët e vendit dhe ata ndërkombëtarë dhe të mësojmë nga përvojat më të mira ndërkombëtare të fondeve sovrane në Evropë dhe në botë, por edhe në nismën për krijimin e kornizës ligjore për tregun e kapitalit në Kosovë.”, ka përfunduar Kurti.
62 deputetë, kryesisht të mazhorancës sa ishin në pranishëm në sallë, votuan pro këtij projektligji, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Si pjesë e Projektligjit për Fondin Sovran në lexim të dytë u përfshin 47 amendamente./21Media