Kryeministri Albin Kurti u shpreh në ceremoninë e vënies së gurthemelit të objektit të ri të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore se Arsimi është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e shtetit tonë, të shoqërisë sonë. Është edhe shtylla kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të vendit.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri uroi që gurthemeli që u vu sot të jetë edhe një faqe e re në historinë e zhvillimit të Universitetit të Prishtinës, si dhe e zhvillimit të gjithmbarshëm socio-ekonomik të vendit.
“Matematika dhe shkencat natyrore kanë ndikim ndër-disiplinor edhe në fusha tjera, dhe kanë rol veçanërisht të rëndësishëm për zhvillimin e inxhinierisë dhe të shkencave teknike. Prandaj, është shumë me rëndësi që objekti i ri i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore po ndërtohet mu pranë objektit ekzistues të fakulteteve teknike. Kjo afërsi fizike ndërmjet fakulteteve të shkencave natyrore dhe aplikative do të ofrojë mundësi për bashkëpunim më të ngushtë dhe shkëmbime akademike e shkencore që mund t’i kontribuojnë shumë zhvillimit të ndërsjellë të fushave të STEM që ato mbulojnë”, u shpreh ai.
Ai tha se e po e bëjnë edhe një hap të rëndësishëm në krijimin e parakushteve për zhvillimin e arsimit dhe të kërkimit në Kosovë. “Ndërtimi i objektit të ri modern për Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës do t’ju sigurojë studentëve dhe personelit akademik infrastrukturën, teknologjinë dhe burimet e nevojshme për zhvillim akademik dhe profesional në degët studimore të këtij fakulteti”, tha ai.
- Advertisement -
Kurti falënderoi Bashkimin Evropian për financimin e këtij projekti përmes fondeve të IPA-s, si dhe UNOPS-in si partner implementues në realizimin e tij.
Ndërsa shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se se ndërtimi i këtij objekti kontribuon në rritjen e cilësisë në mësim dhe mbështet fushën e hulumtimeve.
E ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci tha se pret që ky investim të rrisë cilësinë e studimeve.”Ndërtimi i hapësirave të reja universitare krijon kushte për studentët dhe stafin akademik”, u shpreh ajo.