Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka quajtur rrahjen e politikanit Nikola Sanduloviq, si sulm ndaj pajtimit mes Kosovës e Serbisë.
“Përpjekja për të trembur dhe zmbrapsur politikanë si z. Sanduloviq, i cili sulmohet pikërisht se njeh sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe kërkon falje për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, vjen si sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndaj kulturës politike evropiane në Serbi”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Ai i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dënojë këtë akt dhe veprimet brutale të Serbisë, të cilat janë të orientuara ndaj Kosovës dhe figurave publike që i shërbejnë përparimit të marrëdhënieve”.
“Në një situatë të frikësimit dhe territ mediatik në Serbi, aludimi shqetësues se në torturim ka marrë pjesë edhe terroristi Milan Radojçiq, i kërkuar nga Republika e Kosovës dhe ndërkombëtarisht për sulmin terrorist në Banjskë, akoma nuk është sqaruar”, ka shkruar tutje kryekuvendari i vendit.
- Advertisement -
Konjufca ka shtuar se reagimi i vendeve demokratike kundrejt këtij akti të rëndë është tepër përcaktues.
Sanduloviq u rrah brutalisht nga Shërbimi Sekret i Serbisë (BIA) pasi kishte publikuar një video-incizim duke bërë homazhe tek varri i Komandantit të UÇK-së, Adem Jashari në Prekaz.