Anëtarësimi i Republikës së Kosovës sivjet në Këshillin e Evropës, simbolikë domethënëse në 75-vjetorin e themelimit të KiE. Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili po vazhdon vizitën zyrtare në KiE, në Strasburg të Francës.
Në njoftimin për media, thuhet se Konjufca dhe delegacioni i Kosovës kanë marrë pjesë në një seri takimesh të rëndësishme me përfaqësues të KiE-së. Këto takime, sipas njoftimit, kanë ofruar një platformë të vlefshme për të lobuar për anëtarësimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Një nga takimet kyçe të zhvilluara sot ishte me Presidentin e sapozgjedhur të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Theodoros Roussopoulos dhe Sekretaren e Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKiE), Despina Chatzivassiliou“, thuhet në njoftim.
Tutje, vazhdon njoftimi se gjatë takimit Konjufca shprehu falënderimin e tij për pritjen duke uruar Roussopoulos për emërimin e tij në detyrën e Presidentit të KiE.
- Advertisement -
Gjithashtu, Konjufca dhe delegacioni i Kosovës përmendën të arriturat në reformën e drejtësisë, masat kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave.
Ata theksuan rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme për të përmirësuar pavarësinë e sistemit gjyqësor, për të luftuar korrupsionin dhe për të promovuar përfshirjen dhe barazinë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Konjufca po ashtu ka takuar Davor Ivo Stier, Kryetar i ri i Grupit të Partisë Popullore Evropiane, me të cilin ka diskutuar për rëndësinë e integrimit të Kosovës në strukturat e KiE-së dhe kontributin e saj në stabilitetin dhe prosperitetin rajonal.
Po ashtu, Konjufca zhvilloi një takim me Azadeh Rojhan, raportuese për Kosovën në Komisionin për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, si dhe Oleksiy Goncharenko, përfaqësues i Grupit të Konservatorëve Evropianë dhe Aleancës Demokratike.
Në këto takime u shkëmbyen pikëpamjet për situatën ligjore dhe të të drejtave të njeriut në Kosovë dhe u theksua përkushtimi i institucioneve të vendit për përparimin e mëtejshëm.
- Advertisement -
Në vazhdim, kryetari Konjufca pati edhe një takim produktiv me delegacionin kombëtar të Italisë, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Italisë në kuadër të procesit të anëtarësimit në KiE.
Vizita zyrtare në Këshillin e Evropës u përmbyll me takimin me Dominique Hasler, Ministre e Punëve të Jashtme, Arsimit dhe Sportit të Lihtenshtajnit dhe kryetare e Komitetit të Ministrave.
Ky takim forcoi edhe më tej lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Lihtenshtajnit dhe nënvizoi përkushtimin për bashkëpunim shumëpalësh në kuadër të KiE.
- Advertisement -
Kryetari Konjufca theksoi se anëtarësimi i Republikës së Kosovës sivjet do të ishte një simbolikë domethënëse me rastin e 75-vjetorit të themelimit të kësaj organizate, shënimi i së cilës do të bëhet nën Presidencën e Lihtenshtajnit.