Pas zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit, të hënën situata atje ishte e qetë. Megjithatë, qytetarët serbë as tani nuk ishin të interesuar të flisnin për këto zgjedhje.
Është hera e parë që në karriget e kryetarëve të komunave veriore të banuara me shumicë serbe do të ulen katër shqiptarë. Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës do të ndajnë pushtetin në katër komunat veriore të vendit. Mitrovica e veriut, Zubin Potoku, Zveçani dhe Leposaviçi deri në zgjedhjet e djeshme të 23 prillit, janë udhëhequr nga serbët.
Komunën e Leposaviqit do ta drejtojë Lulëzim Hetemi i Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa atë të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës. Kryetarët e sapozgjedhur flasin për planet që kanë për t’i drejtuar këto komuna, derisa thonë se janë të vetëdijshëm edhe për sfidat që i presin.
“Së pari duhet të koncentrohemi ta bëjmë asamblenë komunale, pastaj duhet të vazhdojmë tutje për legjitimitetin e kryetarit të Komunës dhe gjithë komunës në përgjithësi. Ne jemi të bindur se do t’ia dalim sepse edhe qytetarët serbë në komunën tonë janë të zhgënjyer me Listën Serbe dhe dallaveret që i kanë bërë deri tash. Ne e kemi përkrahjen e plotë prej kryeministrit Kurti dhe gjithë kabinetit të tij. Ne do të ecim përpara”, tha Lulëzim Hetemi kryetar i ri i Komunës së Leposaviçit.
- Advertisement -
“Do të jem i hapur, do të jemi oferta më e mirë për të gjithë. Në këtë rast edhe palën serbe do ta ftojmë në ekipin tim, do ta kenë pjesëmarrjen shumicë, në shumicën e dikastereve. Meqenëse ne jemi në një komunë ku shumica e banorëve janë serbë unë do të ftoj kuadër profesional serb, qytetarë të ndershëm serb të cilët i respektojnë vetën e tyre, vendin e tyre, e vendi im dhe i tyre është Republika e Kosovës dhe aktet ligjore që na i ofron Kushtetuta” thotë Izmir Zeqiri kryetar i ri i Komunës së Zubin Potokut.
Ndërkohë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, duke uruar kryetarët e rinj të komunave atje, kërkoi nga ta të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim etnie e prejardhjeje.
“Falënderoj KQZ për organizimi, Policinë për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen. Fushat e egër e Beogradit zyrat e cila u ekzekutua edhe nga element kriminale në terrene ne veri të Kosovës pa dyshim që ishte një fushatë e shantazhit frikësimit dhe e kërcënimit e cila për pasoj pati daljen e ulët të qytetarëve. Mua më vjen keq që partitë të caktuar kanë ftuar për bojkot, thirrja nuk është e tyre thirrja është e Beogradit. Tash unë pres që atje të konsolidohen institucionet dhe sa më shumë të i’u shërbejnë qytetarëve pa dallim”, tha Kurti .
Ndërkaq, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, konsideron se mospjesëmarrja e serbëve në zgjedhje tregon qartë se interesat e komunitetit serb po përdoren si mjet për beteja politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Legalitet në këtë rast është arritur, legjitimitet në këtë rast gjithmonë do të jetë sfidë. Sikur unë mund të them që Lista serbe kurrë nuk ka pasur legjitimitet, sepse çdo fushatë çdo proces të zgjedhjeve i ka bërë më dhunë, dhe mos ta harrojmë që dy kandidatë për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut e kanë humbur jetën për shkak të bindjeve të tyre politike. Ata janë më së paku që mund të kërkojnë legjitimitet”, thotë Rashiq , ministër për Komunitete dhe Kthim.
- Advertisement -
Zgjedhjet në katër komuna në veri të vendit të dielën janë zhvilluar pa asnjë incident, ndërkohë që ato u përkrahën edhe nga BE e SHBA.