Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, ka renditur 22 vendimet e marra.Ai nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook, ka thënë se në prag të shënimit të Ditës së Personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovës, Qeveria ka iniciuar aderimin e Republikës së Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).
“Ndamë 600 mijë euro për financimin e monitorimit elektronik. Një mënyrë efektive e trajtimit të rasteve penale, e në veçanti e mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje”, ka shkruar ai.Ndërsa, me qëllim tejkalimin e krizës energjetike Kurti ka thënë se Qeveria ka ndarë 9 milionë euro. Dhe se për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë kanë ndarë 10 milionë euro.
Më tej, Kurti ka shkruar se janë ndarë 3 milionë euro për të mbështetur punësimin e njerëzve nga komunitetet joshumicë.
“Për mbështetje të mërgatës, të punësimit të grave dhe likuiditetit familjar ndamë 243 mijë euro. Aprovuam ndryshimin e publikimit të akteve nënligjore, për të lehtësuar qasjen e personave të verbër në Gazetën Zyrtare”, ka shkruar tutje ai.
Gjithashtu, kreu i Qeverisë, ka thënë se tashmë kanë emëruar Bordin Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. “Miratuam nismën për marrëveshjen plotësuese për “Programin e Ujërave të Zeza të Kosovës II” me vlerë të grantit prej 13.2 milionë euro. Ndamë 157 mijë euro për projektin me Bankën Botërore për përmirësimin e sistemit të qeverisjes digjitale”, ka njoftuar Kurti.
- Advertisement -
Ndërkaq, sipas tij, në mbledhjen e 140-të janë ndarë edhe 15 mijë euro për organizimin e Forumit Ekonomik të Vjenës në Prishtinë.