Nga Mynihu i Gjermanisë gjatë punimeve të Konferencës së Sigurisë, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri, i pyetur në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, tha se Prishtina zyrtare duhet të bëjë pjesën e saj dhe të lërë BE dhe SHBA të merren me Serbinë.
Sipas Ramës, është shumë e rëndësishme që Kosova të kuptojë se nuk është vetëm, por është me BE dhe SHBA dhe duhet të bëjë pjesën e saj në planin franko- gjerman, pavarësisht nga veprimet që bën Serbia.
Rama tha se Vuçiç gaboi kur shpalli gjendje zie për atë që ndodhi në Banjskë.
“Unë besoj se ka një gjë thelbësore që nuk duhet harruar, sidomos nga ana jonë. Pra nga ana e vendeve që kanë bërë zgjedhjen, sepse askush sinqerisht s’na ka detyruar që të vendosim se ku të pozicionohemi. Shqiptarët veçanërisht s’kanë patur shansin të zgjedhin për shekujt të tërë dhe ditën e parë që mundën të bërtisnin atë që donin, thanë “E duam Shqipërinë si gjithë Europën”, ky ishte slogani”, tha Rama.
- Advertisement -
“Jo, tani duam Evropën si Shqipëria, por kjo është temë tjetër. Ne kemi zgjedhur. Për mua nuk është kurrë kjo një justifikim për të mos bërë detyrat e shtëpisë, në qoftë se dikush tjetër, bënë gjëra që të cilat sigurisht nuk janë aspak pjesë e apo në kuadër të botës që ne duam, dhe ku duam të jetojmë dhe që natyrisht janë në kundërshti me zgjedhjen tonë. Serbia vërtetë e ka prishur punën jo atë ditë që ndodhi Banjska, por të nesërmen, kur presidenti Vuçiç e shpalli ditë zie për ata që e kryen sulmin”, tha Rama.
“Por, s’duhen harruar ato që janë objektivat, dhe ku duhet të qëndrojë Kosova. Nuk duhet harruar kjo. Dua të them atë që është për t’u thënë. Kosova nuk po negocion me Serbinë, por po negocion me BE dhe SHBA, siç ne po negociojmë me BE. Çfarë dua të them se ka një plan franko-gjerman, që është mjaft i qartë, ka gjëra që duhet t’i bëjë njëra palë, dhe gjëra që duhet t’i bëjë pala tjetër. Pse duhet që Kosova të shkojë në Bruksel, ndërkohë që të mbaj anën e saj, të nënshkruajë 1, 2, 3, 4 apo pesë gjëra, të bëjë pjesën e saj dhe t’i lërë ata të merren me palën tjetër. Nuk është justifikim për të mos bërë gjëra kur pala tjetër sillet keq”, shtoi Rama.
“Sepse në këtë kontekst, nuk ka të bëjë me Kosovën dhe Serbinë, por ka të bëjë me diçka që ndodh në një kuadër ku janë BE dhe SHBA. Serbia me gjithë progresin që ka bërë nuk është një vend etalon, për të thënë që ata po bëjnë këtë, atë tjetrën dhe pse jo. Ti bënë pjesën tënde. Ne në Shqipëri, dhe të gjithë ne këtu, nuk na pëlqejnë të gjitha gjërat që bëjmë, por duhet të i bëjmë për të qenë së bashku në këtë komunitet. Kur ndonjëherë kur marrin vendimin, që sikur s’më duket i drejtë, nuk na takon që në këtë rast të bëjmë diçka të gabuar, na duhet të qëndrojmë së bashku”, u shpreh Rama.