Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë raportimit të sotëm në Kuvendin e Kosovës lidhur me takimin e 26 tetorit në Bruksel, ka thënë se ai ka pranuar të vendosë nënshkrimin vetëm në paketë, ku do të ishin përfshira Marrëveshja Bazike, Aneksi i Zbatimit dhe draft-statuti për Asociacionin.
Ai ka deklaruar se nuk do të pranonte asnjëherë të nënshkruante vetëm draft-statutin, megjithëse ka thënë se atij nuk i është kërkuar një gjë e tillë as nga pala evropiane.
“Sa i përket pranimit të këtij draft-statuti edhe një herë po e ritheksoj se draft-statuti i propozuar i ka vërejtjet e mia te ndërmjetësi, nuk është i pranuar. Unë e kam ofruar nënshkrimin e paketës. Po të më thoshin pranoje vetëm draft-statutin do të thosha jo. Por nuk më thanë. Ata nuk kërkuan prej meje ta pranoja vetëm draft-statutin. Unë atë nuk mund ta pranoja, por si pjesë e paketës kur të thonë krerët evropian me mbështetjen e SHBA-së se është urgjencë e madhe gjeopolitike, po e bëjmë sonte pra. A është ashtu? Edhe marrëveshja bazike, edhe aneksi i zbatimit edhe ky draft-statuti, me ato vërejtjet e mia, po le të jetë aty, ama me nënshkrim. Pa nënshkrim nuk ka pranim, pa nënshkrim nuk ka garancion për zbatim. Unë kam pranuar ta nënshkruaj, por ai nuk është pranuar nga të tjerët. Edhe një herë po e ritheksoj gabim kish qenë sepse ka pasur një ide ta nënshkruaj vetëm unë. ‘Contractin Parties’ thuhet. Ai do të ishte një shou, duhet të nënshkruajnë të dy palët për normalizim të marrëdhënieve. E unë konsideroj që shteti ynë është normal. Nuk do të isha në këtë gjendje po të mos ishin disa dokumente të mëhershme. Por me këtë trashëgimi që më është lënë për besë nuk jam pishman sepse kam bërë më të mirën që kam ditur dhe është dashur”, ka theksuar Kurti.
Kurti: Neni 7 na shpëton nga neni 10
- Advertisement -
B.H. /RTKlive
(E plotësuar, 17:10) Tutje kryeministri ka folur edhe sa i përket vetëmenaxhimit të komunave me shumicë serbe. Ai ka thënë se vetëmenaxhimi i komunitetit serb praktikisht është neni 7, ai i cili na shpëton nga neni 10.
“Neni 7 na shpëton sepse vetëmenaxhimi do të thotë se nuk është se nuk është vetëadministrim, do të thotë se nuk është vetëqeverisje dhe do të thotë nuk është vetëvendosje. Të tri këto terma tjera kanë mundur të jenë po që s’janë. Është termi më i butë i mundshëm dhe është shumë mirë që është aty”, ka shtuar Kurti.
Kurti është shprehur i bindur që drafti i dytë, që është bërë marrëveshje bazike, është më i mirë se i pari.
“Kjo për shkak të një gjysmë fjalie shtesë në nenin 10, që thotë se duhet të zbatohen marrëveshjet e mëhershme por që janë të vlefshme dhe të detyrueshme. Këtu e kemi një hapësirë fantastike prej kuadrit tonë ligjor dhe kushtetues”, ka thënë Kurti.
Duke iu përgjigjur deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, ai ka thënë se e kupton deputetin që duhet ta fitojmë besimin e qytetarëve serbë. “Edhe unë pajtohem se duhet të përpiqemi çfarë dimë e mundemi, por le të mos harrojmë edhe çfarë kemi bërë deri më tash. Shefi im i stafit ka marrë analizat e buxhetore komunale prej vitit 2008 deri në vitin 2022. Komunat me shumicë serbe kanë marrë 62 përqind më shumë buxhet për kokë banori se sa 28 komunat e tjera. Ulëset e rezervuara janë duke i bojkotuar. Edhe mund ta kuptoj që deputeti i zgjedhur bojkoton, por atij që ia ke dhënë ulësen e rezervuar të të bojkotojë kjo nuk është bojkot, është sabotim i shtetit”, ka thënë Kurti.
- Advertisement -
Ai tutje ka thënë se gjuhë serbishte është zyrtare gjithandej në të gjitha nivelet dhe qeveria e ka për obligim ta ketë patjetër ministrin e komunitetit serb.
“Në një farë mënyre ti merr pjesë në zgjedhje por qeveria tashmë në një aspekt dihet çfarë duhet të ketë patjetër. Ka edhe gjëra tjera të panumërta që mua më kanë bërë shumë kritik e kundërshtues kundër propozimit të Ahtisarit. Por çfarë të bëjmë tash a të presim deri kur këto të impludojnë vet në një aspekt sociohistorik, apo të angazhohemi t’i ndryshojmë maksimalisht. Unë jam për këtë të dytën. Nuk mund të ndryshojë gjithçka përnjëherë, por kritika dhe kundërshtimi im vazhdon. Por nuk është i mundshëm përnjëherë të realizohet në atë që e besojmë që është e mirë e dobishme. Për ta fituar besimin e serbëve ne mund t’ia respektojmë të drejtat, edhe ta shtojmë buxhetin, por këto nuk do të jenë të qëndrueshme pa i çrrënjosur strukturat e sigurisë. Strukturat e sigurisë janë problemi, ato struktura të cilat e kanë në krye direkt presidentin e Serbisë dhe shefin e BIA-s. Prandaj, për neve nuk bën njëra pa tjetrën”, ka nënvizuar Kurti.
Ai tutje ka folur edhe për Marrëveshjen Bazike, të cilën e ka cilësuar si njohje bazike, por ka thënë se asnjëherë nuk ka thënë se ajo marrëveshje nuk është njohje de-jure e Kosovës nga ana e Serbisë.
- Advertisement -
“Unë kam thënë se marrëveshja bazike që e kam pranuar, e pala tjetër e ka refuzuar të nënshkruaj, është njohje de-facto. Nuk kam thënë se nuk është njohje de-jure. Unë veç kam thënë se është njohje de-facto dhe unë besoj se është de-facto, por nuk kam thënë se nuk është de-jure”, ka shtuar kryeministri.
Tahiri: Kryeministri me strategji perfide na nxorri prej teme, e braktisim seancën
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se në seancën e sotme “kryeministri Albin Kurti me një strategji perfide na ka nxjerrë prej teme”, teksa ka bërë të ditur largimin e deputetëve të AAK-së nga kjo seancë.
“A jeni duke e parë që ky njeri nuk është duke u përgjigjur në pyetjet tona, të raportojë se çfarë ka ndodhur në Bruksel, ku është drafti dhe çfarë do të ndodhë me Kosovën prej takimit të Brukselit e në muajt e ardhshëm. Ky njeri është duke bërë fushatë. Jemi jashtë teme, ne jemi pjesë e një fushate. Nëse e merrni minutazhën e shihni sa po fol kryeministri, çka po flet ai. 20 përqind e temës së tij është për çka e kemi thirrur e 80 përqind është fushatë për mu shfajësuar prej qëndrimit të tij dhe prej shkeljes së kauzës së tij politike. Ne, nuk marrim pjesë dhe automatikisht e lëshojmë sallën si grup parlamentar”, ka thënë Tahiri.
Kurti: Kosova është në avantazh pas 26 tetorit
M.Miftari /RTKlive
(E plotësuar, ora 15:40) Kryeministri Kurti në përgjigjen ndaj deputetit të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili pati shtruar pyetjen nëse Kosova është apo jo në avantazh në marrëveshjet e fundit në Bruksel, tha se po, Kosova është në avantazh pas 26 tetorit.
Tutje, Kuti sqaroi se në margjinat e samitit të KE-së nuk ka pasur negociata, por ka pasur takime bilateral pa takim trilateral.
“Në margjinat e samitit të KE-së nuk ka pasur negociata, por ka pasur takime bilateral pa takim trilateral, ku unë jam ftuar nga krerët e BE-së dhe besoj se gjëja më e përshtatshme të thuhet është përgjigja pozitive në atë takim”, deklaroi kryeministri Kurti.
Ai më tej bëri të ditur se ka bërë komente tek emisari Lajçak, por që, theksoi ai, nuk mund t’i bëjë publike, “sepse lidhen drejtpërsëdrejti me përmbajtjen e statutit”.
Kurti foli edhe për shëndetësinë, por që, shtoi ai, më e rëndësishme tani për tani, është eliminimi i atyre që kërcënojnë sigurinë e vendit tonë.
Ai lidhur me termin vetmenaxhim, sqaroi se neni 7 praktikisht na ka shpëtuar nga neni 10, përveç se nën nenin 10 thuhet marrëveshjet e mëhershme që janë të detyrueshme dhe valide, “sepse vetmenaxhim do të thotë se nuk është vetadministrim, do të thotë nuk është vetëqeverisje, do të thotë nuk është vetëvendosje.
Kurti: Merrem me trashëgimin tuaj, jo me dëshirë, por me detyrë
M.Miftari /RTKlive
(E plotësuar, ora 15:33) Kryeministri Kurti, në një replikë ndaj deputetes nga radhët e PDK-së, Araiana Shoshi-Musliu, në seancën e sotme parlamentare tha se po orvateni të bëni dokumentar për mua, si kryeministër.
“Këtu më keni thirrur të raportoj për takimin e 26 tetorit në Bruksel. Unë raportova për krejt çka është e mundshme të raportohet në kohën në të cilën ndodhemi dhe isha shumë respektues edhe i sjellshëm”, deklaroi Kurti.
Ai mes tjerash sugjeroi deputeten Shoshi-Musliu që të gjurmojë video-incizime edhe më të hershme, ku ka kundërshtuar edhe planin e Ahtisaarit.
“Kjo është trashëgimia e juaj. Unë merrem me trashëgimin tuaj, jo me dëshirë, por me detyrë”, shtoi më tej Kurti.