Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se zgjedhjet e reja në komunat veriore duhet të jenë të lira dhe të ndershme, të planifikuara e të përgatitura mirë, me garë të hapur dhe pa frikësim. Një vlerësim të tillë i pari ekzekutivit e ka dhënë në takimin me shefin e OSBE-së, Michael Davenport dhe zëvendësshefin e OSBE-së, Jeffrey Bieley.
Në këtë takim, sipas njoftimit të ekzekutivit, është biseduar për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) si dhe zhvillimet në vend.
“Në takim u bisedua edhe për de-eskalim të situatës në katër komunat në veri dhe normalizim të marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Tutje theksohet se kryeministri e njoftoi shefin e OSBE-së për emërimin e nënkryetarëve nga komuniteti serb në komunat në veri: Katarina Axhançiq, nënkryetare e Komunës së Mitrovicës Veriore, Slagjana Pantoviq, nënkryetare e Komunës së Zveçanit, dhe Dragana Miletiq, nënkryetare e kuvendit komunal në Leposaviq, si dhe për emërimin nga Kuvendi me vota të fshehta të Sergjan Sentiq në pozitën e zëvendësAvokatit të Popullit.
- Advertisement -
Nga ana tjetër, sipas njoftimit të ekzekutivit, Michael Davenport i shprehu mirënjohje Kurtit për progresin me Njësisë së Përkthimit dhe Harmonizimit, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.