Në Gjakovë, qytetin ku arti dhe kujtesa ndërthuren në mënyrë të veçantë, mbrëmë u zhvillua një aktivitet përkujtimor në nderim të aktorit të shquar Mirush Kabashi, me moton “Një ditëlindje pa Mirush Kabashin”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e ekspozitës fotografike “Mes Teatrit dhe Filmit”, promovimin e librit “Mirush Kabashi – Sokrati Shqiptar / Albanian Socrates” të autores Driada Dervishi, si dhe në shfaqjen e filmit dokumentar “100 Maska 1 Shpirt” me regji nga Eliodor Markja. Aktiviteti u organizua nga Teatri i Qytetit “Hadi Shehu”, në ambientet e të cilit u zhvillua edhe ngjarja.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti u shpreh se “në Gjakovë, aty ku fjala ka peshë dhe kujtesa frymon me art, u çel një ditë që s’qe thjesht përkujtim, por një rikthim i heshtur i Mirush Kabashit në skenën që e deshi dhe e deshi”.
Ai theksoi se ekspozita, libri dhe filmi krijuan një portret të plotë të shpirtit artistik të aktorit, duke e sjellë të gjallë në kujtesën e artdashësve përmes buzëqeshjeve, duartrokitjeve dhe atmosferës që mbizotëroi në sallë.
- Advertisement -
“Sonte Gjakova nuk mbajti vetëm një aktivitet – mbajti fjalën, shpirtin dhe dritën e një njeriu që na mësoi se teatri nuk është thjesht vend shfaqjeje, por një gjendje shpirti,” shkroi Kurti.
Mirush Kabashi, i njohur për interpretimet e tij të fuqishme dhe përkushtimin ndaj teatrit dhe filmit, u përkujtua jo vetëm si një aktor i madh, por si një figurë që frymëzoi breza të tërë artistësh dhe shikuesish.