Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se Komisioni Evropian dje ka prezantuar para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës, por se siç shprehet ai, BE-ja aleatin dhe partnerin më të sinqertë dhe më të qëndrueshëm në rajon e ka Kosovën.
“Bashkimi Evropian te Kosova e gjen partnerin dhe aleatin e saj më të sinqertë dhe të qëndrueshëm në rajon të vlerave evropiane, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate. Kosova të tillë e ka Qeverinë. Të tillë e ka popullin. Së pari popullin e pastaj Qeverinë”, tha Kurti.
Ai tha se në raste kanë qenë kritik ndaj Bashkimit Evropian, por asnjëherë as cinik e as të hidhëruar.
“Nuk jemi as sot. Kur në dhjetor të vitit të kaluar dorëzuam aplikimin tonë për anëtarësim, atë e bëmë duke besuar se meritojmë që në një të ardhme të parashikueshme të jemi pjesë e këtij Unioni, sepse besojmë në këtë Union. Të njëjtin besim e kemi edhe sot”, tha Kurti.
- Advertisement -
Ai tha se raporti i fundit për vendin tonë, i hartuar pikërisht nga Komisioni Evropian, e përshkruan dhe vlerëson Kosovën në dritën më pozitive ndonjëherë; si në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si në demokratizim, si në zhvillim ekonomik, ashtu dhe në avancim të kornizës ligjore në përputhje me Acquis të Bashkimit Evropian.
“Aty e gjejmë hijen e vërtetë të Bashkimit Evropian; si organizëm mbikombëtar, i drejtë e meritokrat. Dhe pavarësisht zhvillimeve rrethanore, ne e vlerësojmë përkrahjen e ndihmën e Bashkimit Evropian përgjatë gjithë këtyre viteve, dhe mezi e presim pyetësorin për anëtarësim; sepse Evropa është kontinenti i ynë. Bashkimi Evropian është fati ynë”, tha Kurti.
Po ashtu Kreu i Qeverisë tha se të shtunën e kaluar, dy qytetarë të Republikës humbën jetën tragjikisht nga vërshimet që kapluan qytetin e Pejës.
“Lajmi i kobshëm jehon edhe sot. Dhimbja për ta është po aq e madhe sa edhe para pesë ditëve. Andaj edhe një herë, nga kjo sallë, në emër të gjithë kabinetit qeveritar, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe miqve të Mirsada Hoxhiq Ademaj dhe djalit të saj pesë vjeçar, Dionit”, tha Kurti.
Sipas tij, vërshimet erdhën si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.
- Advertisement -
“Atë ditë brenda vetëm diç më shumë se 1 ore, ranë gati 55 milimetra shi. Sasi kjo krejt e pazakontë për një kohë jashtëzakonisht të shkurtër. Tashmë është e qartë se ndryshimet klimatike paraqesin një rrezik të paprecedentë dhe të drejtpërdrejtë për mirëqenien e qytetarëve, ekonominë e vendit dhe mjedisin përreth”, tha ai duke shtuar se Kosova nuk bën asnjë përjashtim.
“Ajo është po aq e rrezikuar ndaj thatësirave, zjarreve, rrëshqitjeve të dheut, përmbytjeve dhe humbjeve të biodiversitetit. Në fakt, modelimet klimatike për rajonin e Ballkanit Perëndimor tregojnë një rritje më të madhe të temperaturës krahasuar me mesataren globale”, tha Kurti.
Sipas tij, ndërtimet në zonat me rrezik nga përmbytjet dhe mungesa e sistemeve të drenazhit në disa zona urbane, kontribuojnë për të keq në rritjen e pasojave nga përmbytjet e shpeshta.
- Advertisement -
“Rimëkëmbja nga vërshimet synim duhet ta ketë shmangien e përsëritjes së tyre, përveçse edhe rikuperimin prej tyre. Qeveria jonë është në fazën përfundimtare të hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet, e që do pasohet me planin e menaxhimit të përmbytjeve. Ne do të fillojmë strategjinë e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, e cila vjen si rezultat i ligjit të parë për ndryshimet klimatike dhe jemi aktivisht duke marrë në konsideratë përshtatjen ndaj këtyre ndryshimeve gjatë projektimit të infrastrukturës”, tha Kurti.
Ai ka bërë të ditur se janë duke lobuar për të siguruar që Kosova të ketë qasje të drejtpërdrejtë në fonde për këtë qëllim.
“Vlerësohet se Kosovës i duhen investime prej më shumë se 1.3 miliardë euro në infrastrukturë për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Vitin e kaluar, për herë të parë një delegacion i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, mori pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshime Klimatike COP27. Hap ky i rëndësishëm i përfshirjes së Kosovës në diskutime për një çështje me interes global e me ndikim lokal”, tha Kurti.