Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se projekti i ndarjes së Kosovës apo shkëmbimit të territoreve ka dështuar, por ka pranuar se ideja nuk ka vdekur ende.
Ai gjatë diskutimit me temën “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt” në Forumin e Paqes në Paris, ka thënë se ashtu siç Moska nuk është e lumtur me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, po ashtu edhe Beogradi nuk ka qenë aq i lumtur me shpërbërjen e Jugosllavisë, ndonëse në fakt vet e ka shkaktuar një gjë të tillë.
“Tani jetojmë në një epokë ku ky projekti i këmbimit të territoreve ka dështuar. Por besoj që ideja nuk ka vdekur ende dhe shoh se kudo që takohem dëgjoj presidentin e Serbisë që angazhohet për një gjë të tillë sepse fantazia mund të mos jetë reale, por e kushtëzon të menduarit dhe sjelljen apo veprimtarinë e palëve”, ka theksuar Kurti.
Ai më tej ka thënë se “njerëzit që kanë parë ëndrra për shumë vite për ndarjen e Kosovës apo shkëmbim të territoreve është shumë e vështirë të braktisin këtë nostalgji e këtë trishtim dhe të angazhohen në zgjidhje që do të ishte demokratike e evropiane.
- Advertisement -
“Ky projekti i këmbimeve të territoreve ka pasur homolog edhe në Kosovë, nga një nga pararendësit e mi sepse në atë kohë është parë si një rregullim i shpejtë midis liderëve autoritar që flasin për popullin si familje e tyre e për territoret e shteteve sikur të ishin prona të tyre. Kjo ka pasur një lloj shije monarkie që nuk ekiston më, por përkundër dështimit të projektit si të tillë, më duhet ta pranoj se ideja ekziston ende, mirëpo pa ndonjë gjasë të madhe që të hyjë në fuqi”, ka nënvizuar Kurti.
Kurti: Terroristët e sulmit të 24 shtatorit janë të lirë në Beograd
Kryeministri Albin Kurti gjatë diskutimit “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt” në Forumin e Paqes në Paris, ka përmendur agresionin e Serbisë përmes grupeve terroriste e paramilitare më 24 shtator, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Para më pak se 2 muaj patëm një lloj agresioni nga një grup terrorist paramilitarë, ku është vrarë një polic i Kosovës. Sigurisht ky grup i mbështetur nga Serbia ka dashur të shkaktojë përshkallëzim të një mase më të madhe, si pretekst që ushtria serbe të hyjë në Kosovë, pasi kemi 48 baza ushtarake serbe afër kufijve tanë”, ka thënë Kurti.
Ai tha se shumica dërrmuese e sulmuesve të këtij akti terrorist janë të lirë në Serbi, duke përfshirë edhe liderin e atij grupi, Milan Radoijiçiq.
- Advertisement -
“Për sigurinë e vendit tonë duhet të merremi me këto grupe që duan të jenë si Wagneri, që duan të shkaktojnë destabilizim, dhe njëkohësisht duhet të fokusohemi në situatën gjeopolitike ku nuk kemi alternativë sepse nuk duam të kemi alternativë përpos BE-së dhe NATO-s, por ka vende që mendojnë dhe bëjnë tjetër ndryshe”, ka shtuar kryeministri.
Ai ka thënë se është e qartë që Federatës Ruse i kanë pëlqyer shumë këto akte për destabilizim në Ballkan, për të larguar vëmendjen nga lufta në Ukrainë.
“Në secilin konflikt me të cilin ballafaqohemi sot, Rusia e Irani nuk janë pasiv. Këto luftrat hibride nuk kanë kufizim tokash, kudo ku shohim konflikt të ri, ka disa superfuqi që duan ta shohin atë konflikt në flakë dhe investojnë që ai të zgjasë”, ka shtuar Kurti.