Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur sot takim me kryetarët e komunave, teksa ka thënë se ky format i diskutimeve bëhet me qëllim të kujdesit ndaj qytetarëve. Gjatë takimit me një minutë heshtje është nderuar edhe rreshteri hero i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Para kryetarëve të komunave, Kurti tha se një lajm i mirë është fitorja e kandidaturës së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Sipas tij, mbi 250 milionë euro investime publike janë parapara në konceptin me të cilën është fituar kandidatura në këto lojëra.
Kurti tha se buxheti për komunat për vitin 2024 e kalon 700 milionëshin, e që është gati 90 milionë euro më i lartë se vitin paraprak.
- Advertisement -
Aliu: Investimet kapitale prej 100 mijë euro të ndahen direkt për komunat
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu ka renditur disa nga kërkesat e komunave të cilat presin mbështetjen e Qeverisë.
Ai ka përmendur gjendjen financiare të komunave për shkak të obligimeve si pasojë e pagave kolektive. Ai ka kërkuar buxhet shtesë për komunat në këtë drejtim.
“Kemi kërkuar krijimin e grantit të katërt për investime kapitale dhe mbështetjet prej 100 mijë eurosh të ndahen drejtpërdrejtë e jo nga ministrisë në mënyrë që mos të ketë anësi”, ka thënë Aliu.
Ai ka kërkuar shmangien e procedurave burokratike për pronat, si dhe rikthimin e projektligjit për prokurorimin publik, duke thënë se mungesa e saj po shkakton telashe në menaxhimin e komunave.