Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Republika e Kosovës nuk ka aleate dhe mike më të rëndësishme se sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kurti është shprehur i bindur se partneriteti me SHBA-në nuk është duke u rrezikuar.
Ai deklaratat e tilla i bëri në Prizren, kur u pyet për të komentuar deklaratën e ndihmës-sekretarit të Shtetit, James O’Brien, i cili dje theksoi se “nuk do ta trajtojnë Qeverinë e Kosovës si partnere nëse s’trajtohen njëjtë”, duke i bërë njëherësh thirrje autoriteteve të Kosovës që ta tërheqin vendimin për ndalimin e dinarit si mjet pagese.
“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm se SHBA-në. Kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër Republikës së Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10-pikësh për zbatimin e Rregullores së saj. Ne jemi Republikë demokratike. Qeveria nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura siç është BQK-ja dhe në mesin e këtyre 10 pikave BQK nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese. Pra, pa ndëshkim, pa incidente duam të ecim përpara”, ka thënë Kurti.
I pari i Qeverisë ka theksuar se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet i ekzekutivit, por ka thënë se në të njëjtën kohë kujdesen edhe për paqe e siguri, si dhe për mirëqenien e qytetarëve serbë.
- Advertisement -
Ai tutje theksoi se me zbatimin e rregullores së re të BQK-së duan të legalizojnë dhe formalizojnë çdo transaksion financiar.
“Unë jam kryeministër që nuk dëshiron që qytetarët të kenë më pak para, por të kenë më shumë para. BQK-ja ia ka dërguar një letër Bankës Popullore të Serbisë, shpresojmë që ata do të përgjigjen. Nuk është ndaluar dinari në Kosovë, bëhet fjalë vetëm për dinarin si mjet pagese, jo për dinarin që mund ta kenë qytetarët. Nuk dëshirojmë që të ndëshkojmë askënd, me kurrfarë masash mirëpo ta bëjmë këtë tranzicion ashtu që të legalizohet, të formalizohet çdo transaksion financiar. Siç e dini në katër komunat në veri të Kosovës ekzistojnë katër degë të bankave komerciale, 8 janë të huaja, dy të Kosovës, si dhe 15 institucione financiare jobankare. Shkëmbimi është kollaj i mundshëm”, ka shtuar Kurti.
Ai ka përmendur faktin që qytetarët serbë nuk e refuzojnë euron si valutë dhe ka përmendur faktin se 33 mijë pensionistë serbë për çdo muaj e marrin pensionin e Republikës së Kosovës në euro.
“Nuk e kemi asnjë rast përgjatë këtyre viteve ku dikush thotë nuk i marrë se janë euro. Pra, euroja nuk ka refuzues. Gjithashtu nuk kemi asnjë rast ku dikush thotë ose dinar ose asgjë. Pra, euroja nuk ka refuzues, e dinari nuk ka martirë. Pas çlirimit në vitin 1999, ne, e kemi pasur markën gjermane, nga 1 janari i vitit 2002 e kemi euron. Askush nuk po thotë merreni lekun e Shqipërisë ose valutën e re kosovare dardan, por euron, e ajo është evropiane. Nuk besoj se qytetarët serbë janë ata që e shohin këtë problem, por natyrisht Beogradi zyrtar që nuk na e pranon pavarësinë dhe as krimet e kryera para 25 vjetëve, të cilat morën përmasat e gjenocidit. Pra, është Serbia që sjellë këso alarmimesh para-apokaliptike. Andaj, do t’i japim kohë tranzicionit”, ka nënvizuar Kurti.
Sipas tij BQK-ja tani është duke e zbatuar planin 10 pikësh dhe qeveria do të japë kontributin e saj për zbatim sa më të mirë.
- Advertisement -
“Si për BQK-në, si për shtetndërtimin tonë demokratik, për sistemin tonë financiar, ne i jemi falënderues e mirënjohës SHBA-së që ka kontribuuar përgjatë jo vetëm këtyre 16 vjetëve të shtetit të pavarur, por përgjatë 25 vjetëve të çlirimit”, ka shtuar Kurti.
Ai tutje ka thënë se Qeveria e tij ka punuar shumë në luftimin e krimit dhe korrupsionit përgjatë tri viteve, por tani sfidë paraqet kërcënimi i sigurisë nga Serbia.
“Besoj që Republika e Kosovës e ka pasur sfidë luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe për këtë jemi në rrugë shumë të mirë për ta eliminuar plotësisht. Kemi bërë hapa të jashtëzakonshëm në këto tri vite. Sot sfidë tejet të rëndësishme i kemi kërcënimet e sigurisë që na vijnë nga fqinji ynë verior – Serbia, por edhe për këtë jemi duke u forcuar me partnerët dhe aleatët tanë të NATO-s e të BE-së. Të NATO-s në krye me SHBA-në, ndërkaq të BE-së me të gjitha 27 shtetet me të cilat ne kultivojmë marrëdhënie të mira, madje edhe me ato të cilat nuk i janë bashkuar ende 22 shteteve që e kanë njohur pavarësinë tonë”, ka përfunduar Kurti.