Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha sot se dorëzimi i instrumenteve për aderim shënon hapin përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), si e vetmja organizatë ndërkombëtare e ngarkuar ekskluzivisht për të punuar në çështjen e personave të zhdukur.
“Sot, derisa përkujtojmë Masakrën e Rahovecit, nga e cila ende i kemi 11 persona të zhdukur, përkujtojmë më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë të cilët u rrëmbyen e zhduken me forcë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Nderojmë kujtimin e të gjithë atyre që Serbia ua rrëmbeu edhe kufomat, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve të kryera gjatë luftës”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai tha se çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj. Ky anëtarësim, sipas tij, është edhe një iniciativë e konkretizuar për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
“Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i shoqëruar nga Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës, Dren Doli, dorëzuan instrumentet e aderimit të Republikës së Kosovës në selinë e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare në Hagë.
- Advertisement -
Jemi mirënjohës për angazhimin dhe mbështetjen e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur në Kosovë. Shteti ynë, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në Zyrën e Kryeministrit, tanimë ka një histori të gjatë të bashkëpunimit me ICMP. Ky aderim, do të jetë një rritje e këtij bashkëpunimi”, shkruan tutje Kurti.
Ai, falënderoi Qeverinë e Mbretërisë së Holandës për rolin konstruktiv, si shtet depozitar për konventën mbi themelimin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.
“Kapacitetet tona institucionale e profesionale, përmes edhe angazhimit si anëtar në ICMP, do të jenë në shërbim të paqes dhe të adresimit të proceseve të ballafaqimit me të kaluarën kudo”, ka shkruar Kurti në Facebook.