Pas takimit me Lord Stuart Peach, kryeministri Albin Kurti, në Bled takoi edhe përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, ata, diskutuan për procesin e dialogut dhe rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj pa kushtëzime, si dhe për mundësitë për një takim të radhës të nivelit të lartë në Bruksel gjatë shtatorit.
“Kryeministri tha në dritën e fjalimit të presidentit të Këshillit Evropian për integrim të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 është e rëndësishme që të ketë avancim drejt normalizimit të plotë me njohje reciproke. Në lidhje me situatën në katër komunat në veri të Kosovës, kryeministri kujtoi që tashmë kemi një situate të de-eskaluar e cila nuk duhet të ri-eskalohet”, njofton zyra e kryeministrit.
Kurti gjithashtu theksoi se Kosova tashmë është duke punuar në legjislacionin dytësor për zgjedhjet e hershme, të cilave duhet të ju prij një kampanjë e hapur, pa frikësime dhe shantazhe e pasuar me zgjedhje të lira e demokratike.
- Advertisement -
E për këtë takim ka shkruar edhe Lajçak në rrjetin social X. Ai ka theksuar se temë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet për takimin e radhës të nivelit të lartë në Bruksel, i cili sipas tij pritet të mbahet gjatë muajit të ardhshëm.