Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kanë zhvilluar një takim të përbashkët me përfaqësues të bizneseve të Kosovës.
Përmes një njoftimi për media, thuhet se në këtë takim u diskutua për mundësitë dhe sfidat në sektorin privat, me theks te financimi i zgjerimit të biznesit dhe fuqia punëtore, e po ashtu është biseduar edhe për mënyrat se si të tërhiqen edhe më shumë investime të huaja direkte në Kosovë.
Kryeministri Kurti nënvizoi punën, veprimet dhe hapat e ndërmarrë nga qeveria për lidhjen ndërmjet edukimit dhe tregut, përmes arsimit dual, i cili tashmë, sipas tij, është pilotuar në këtë vit akademik që po e përmbyllim në gjithsej katër shkolla profesionale, në katër programe në tre komuna të ndryshme.
Kurti po ashtu i njoftoi edhe për mundësitë që ofron Fondi Sovran, ligji për të cilin së fundmi është miratuar në qeveri, dhe potencialin që paraqet sektori i energjisë, duke marrë parasysh orientimin e qeverisë drejt energjisë së ripërtëritshme.
- Advertisement -
“Qëllimi i këtij takimi ishte avancimi i komunikimit ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat, si hap drejt forcimit të bashkëpunimit me sektorin privat për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, në këtë takim pos ambasadorit Hovenier, ishin edhe përfaqësues të USAID-it e të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Po ashtu vazhdon njoftimit se kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, potencialin që ka Kosova dhe mundësinë e thellimit të bashkëpunimit me sektorin privat.