Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Ismail Kadare ka mundësuar që lexuesit të mendonin më thellë e të mësonin më shumë falë veprimtarisë së tij.
“Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë. Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë”, ka shkruar Kurti në Facebook, pas vdekjes së shkrimtarit nga Gjirokastra në moshën 88-vjeçare.
Kurti tutje ka thënë se bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë.
“Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë”, ka shkruar kryeministri.
- Advertisement -
Vepra e Kadaresë është përkthyer në rreth 45 gjuhë të huaja, duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën.