Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar deklaratat e dhëna së fundmi nga zëdhënës të Bashkimit Evropian, se rruga e Kosovës drejtë BE-së ndërlidhet me procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Ai ka thënë se kjo është e padrejtë për Kosovën, dhe se për shkak të destruktivitetit të Serbisë, nuk duhet të ngadalësohet procesi integrues i vendit.
“Kosova ka interes jetik që procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë të jetë i ndarë nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian. Gjithë progresi ekonomik dhe demokratik i Kosovës të mbetet peng i destruktivitetit të Serbisë, nuk është e drejtë. Unë e kuptoj që BE me procesin e zgjerimit e duanë fqinjësinë e mirë, ne jemi për fqinjësi të mirë. Por kjo nuk duhet të përkthehet në ngadalësim të procesit integrues për Kosovën”, shtoi ai.
I pari i ekzekutivit foli edhe për zgjedhjet në veri.
- Advertisement -
“Procesi i zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendi ndodhet në rrugën ligjore. Unë jam i vetëdijshëm se në zgjedhjet para një viti dalja ka qenë e ulët, por përveç këtyre katër kryetarëve që i kemi atje, dikush tjetër nuk ka legjitimitet. Unë e mirëpres faktin që qytetarët serbë në veri të Kosovës, kryeministër i të cilëve jam unë, tashmë po i ndjekin procedurat ligjore në mënyrë që vullneti i tyre për kryetarë tjerë të marrë rrugën e duhur”, shtoi ai.