Për të dymbëdhjetën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, duke thelluar më tej krizën institucionale në vend.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, konfirmoi se ende nuk është bërë zgjedhja e kryetares dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Ai u bëri thirrje partive politike të propozojnë anëtarët e komisionit zgjedhor për zgjedhjen e udhëheqëses së legjislativit. Megjithatë, përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe refuzuan të japin propozime.
Këto subjekte politike u shprehën kundër zhvillimit të votimit për kryeparlamentaren përmes një procesi të fshehtë, duke pamundësuar kështu vazhdimin e seancës.
Për pasojë, procesi mbeti i bllokuar, ndërsa seanca pritet të vazhdojë pas 48 orësh, pa ndonjë marrëveshje konkrete në horizont.