Përballë bllokadës institucionale që po pengon konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i ka bërë thirrje Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, që të ndërmarrë hapa konkretë dhe të thërrasë një takim me liderët e partive politike parlamentare, me synimin për të gjetur një zgjidhje për situatën aktuale.
Në një komunikatë për media, KDI thekson se vendi ka hyrë në një cikël absurd seancash të përsëritura çdo 48 orë, të cilat zhvillohen pa reflektim politik dhe pa rezultat konkret. Sipas KDI-së, vazhdimi i këtij procesi pa dakordim politik për kandidatët, e ka kthyer konstituimin e Kuvendit në një formalitet të zbrazët.
“Rregullorja e Punës së Kuvendit ka vlerë vetëm nëse respektohet në frymën e saj, atë të funksionalitetit të institucionit. Ajo nuk mund të keqpërdoret si mburojë për mungesën e vullnetit politik apo për të justifikuar një status-quo të paarsyeshme,” thuhet në deklaratën e KDI-së.
Instituti vlerëson se nëse procedurat bëhen justifikim për bllokadën, atëherë është i domosdoshëm një adresim në nivel politik dhe institucional. Në këtë kontekst, KDI nënvizon se Presidentja, si garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve, ka detyrën të ndërhyjë.
- Advertisement -
“Angazhimi i saj në një situatë ku institucioni më i lartë përfaqësues është i paralizuar, është jo vetëm i justifikueshëm por edhe i domosdoshëm,” përfundon komunikata.
Kujtojmë se Kuvendi nuk ka arritur ende të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët e tij, përkundër disa tentativave, duke e lënë të bllokuar funksionimin e plotë të legjislativit dhe duke vonuar procesin për formimin e Qeverisë së re.