Kritika ndaj Vuçiç, opozita serbe reagon pas rezultateve nga bisedimet në Ohër: Doli i qeshur, sepse i arriti të dyja qëllimet që i kishte vënë vetes.
Bashkimi Evropian ka thënë të shtunën nga Ohri, se marrëveshja është arritur pas disa orëve diskutime, ndonëse nuk është nënshkruar.
Më 19 mars, Vuçiç ka thënë se nuk ka nënshkruar asnjë dokument “sepse Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, e Kosova jo”, dhe se një marrëveshje juridike ndërkombëtare nuk mund të bëhet.
Sipas tij, Serbia mund të punojë në zbatimin e propozimit të BE-së “deri në vijat e kuqe”.
Kryetari i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, Pavle Gërboviç, e ka vlerësuar si lajm shumë të rëndësishëm faktin që Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, do të bëhet pjesë e kornizës së negociatave dhe pjesë e kapitullit 35 në negociatat e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Është e pamundur të jesh politikan pro-evropian, të angazhohesh për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe të jesh kundër kësaj marrëveshjeje. Pyetja për ne është se a pranojmë të jemi pjesë e hapësirës politike të krijuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, apo jo”, ka thënë Gërboviç në TV N1.
Lideri i lëvizjes së djathtë Dveri, Boshko Obradoviq, vlerësoi se zgjidhja e vetme e krizës politike është dorëheqja e presidentit Vuçiç dhe bëri thirrje për tubime të qytetarëve kundër planit evropian.
Ai theksoi se Vuçiç “në mënyrë të paautorizuar ka marrë përsipër obligimin” në Ohër që të fillojë zbatimin e Marrëveshjes që e ka pranuar më 27 shkurt në Bruksel, të cilën Obradoviç e ka vlerësuar si një lloj grushtishteti.
Kundër pranimit të Marrëveshjes është edhe kryetarja e partisë së djathtë serbe Zavetnici (Të betuarit), Milica Gjurgjeviç-Stamenkovski.