Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas emërimit të Luljeta Aliut, anëtare e Komisionit të Pavarur për Media, derisa ka thënë se ajo është një militante e deklaruar politike e Vetëvendosjes, raporton Gazeta Blic. Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me këtë Qeveria dëshmoi se është në mision për të penguar fjalën e lirë duke synuar kapjen e mediave.
Ai ka thënë se qeveria duhet t’i mbajë duart larg nga mediat.Postimi i tij i plotë:
Mediat, deri sot, u kanë penguar vetëm qeverive autokratike dhe, natyrisht, qeverive të dështuara, të cilat, përveç aferave dhe degradimit nuk prodhojnë asgjë tjetër.
Me emërimin e Luljeta Aliut si anëtare në Komisionin e Pavarur për Media, një militante e deklaruar politike e Vetëvendosjes, kjo Qeveri dëshmoi edhe një herë se është në mision për të penguar fjalën e lirë duke synuar kapjen e mediave.
Media e lirë dhe e pavarur është një nga platformat e rëndësishme jopolitike, e cila, përveç që informon qytetarët, monitoron dhe mban përgjegjës pushtetin në raport me politikat dhe veprimet që bien ndesh me ligjin dhe qeverisjen e mirë.
- Advertisement -
Vetëm një pushtet i korruptuar dhe autokrat synon kontrollin politik të mediave dhe të institucioneve të pavarura e, fatkeqësisht, kjo po ndodhë tash e dy vjet në vendin tonë.