Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se vendi ndodhet përballë dy opsioneve: ose konstituimi i Kuvendit, ose mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Para gazetarëve, ai theksoi se, sipas PDK-së, zgjedhjet duhet të mbahen në muajin maj ose në qershor.
Duke komentuar rolin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Krasniqi tha se ky i fundit nuk ka mandat për të ftuar në konsultime partitë politike, pasi – siç u shpreh ai – “Kurti është vetëm një deputet”.
Në vijim, Krasniqi u shpreh edhe për ngërçin në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Me ironi, ai deklaroi: “Le ta provojë Kurti të kandidohet, ndoshta e votojmë. Nuk besoj, sepse nuk e ka meritu me votu. Ai s’e meriton të jetë as ministër, e lëre më kryetar Kuvendi.”