Në një raport të fundit, Instituti GAP ka theksuar shqetësimet lidhur me emigrimin dhe mungesën e fuqisë punëtore në Kosovë, duke paralajmëruar për rritjen e krizës në tregun e punës. Gjetjet e raportit u prezantuan gjatë një diskutimi në kuadër të Forumit të Platformës për Dialog Publiko-Privat të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime (KKEI).
Sipas të dhënave zyrtare, deri në vitin 2023, 359 mijë persona kanë braktisur Kosovën, duke përfaqësuar rreth 22.6% të popullsisë së vendit. Nga ana tjetër, numri i shtetasve që janë kthyer dhe të huajve që jetojnë në Kosovë është rreth 99 mijë. Ky fenomen ka sjellë mungesë të fuqisë punëtore aktive dhe ka rritur kërkesën për punëtorë, si vendas ashtu edhe të huaj.
Në vitin 2024, Ministria e Punëve të Brendshme ka lëshuar 8,293 leje-qëndrime për shtetas të huaj, prej të cilave 3,974 janë për arsye punësimi, shumica e të cilëve vijnë nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, si dhe vende të tjera nga Azia dhe Turqia. Megjithatë, bilanci i emigrimit vazhdon të mbetet shumë më i lartë se i imigrimit, duke thelluar më tej mungesën e punëtorëve në sektorët e ndryshëm të ekonomisë.
Një prej rekomandimeve kryesore të raportit është rritja e përfshirjes së personave të moshës aktive në tregun e punës, veçanërisht të atyre që aktualisht janë jo-aktivë. Kosova ka shkallën më të lartë të jo-aktivitetit në Ballkanin Perëndimor, me 57% të popullsisë në moshë pune që janë të pasivizuar në tregun e punës. Shumica e këtyre janë gra, që thekson sfidën serioze të ulët të pjesëmarrjes së gruas në punë, e cila renditet ndër më të ulëtat në Evropë dhe botë.
- Advertisement -
Po ashtu, 78 mijë të rinj (30%) janë të klasifikuar si NEET (jo në arsim, punë apo trajnim), një përqindje alarmante, shumë herë më e lartë se mesatarja e BE-së (9.9%) dhe më e larta në rajon.
Sektorët më të prekur nga mungesa e fuqisë punëtore janë ndërtimtaria, tregtia, gastronomia dhe prodhimi, ku shifrat e emigracionit janë të larta. Këto pozita shpesh nuk kërkojnë kualifikime të larta, duke i bërë ato më të përshtatshme për fuqinë punëtore vendore jo-aktive.
Në këtë kontekst, raporti i Institutit GAP ofron disa rekomandime për të përmirësuar përfshirjen e kësaj fuqie punëtore, përfshirë trajnime për zhvillimin e aftësive dhe mbështetje për avancimin e pjesëmarrjes së grave dhe të rinjve në tregun e punës. Po ashtu, propozohet forcimi i rolit të Agjencisë së Punësimit dhe mbështetje për zhvillimin e sektorëve të energjisë së pastër dhe teknologjisë inovative.
Raporti është diskutuar në një forum ku morën pjesë aktorë të institucioneve publike dhe private, përfshirë edhe shoqatat e bizneseve, me qëllimin që rekomandimet e Institutit GAP të diskutohen dhe zbatohen në kuadër të dialogut publiko-privat për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.