Moszgjidhja për herë të gjashtë e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit të Kosovës ka tërhequr vëmendjen edhe në Shqipëri. Haxhiu ka folur për këtë çështje në një intervistë të dhënë në “Top Channel”, ku është pyetur nga gazetarja për arsyet që e mbajnë në këtë pozicion, duke theksuar nëse mendon të tërhiqet për të mirën e vendit.
Gazetarja e pyeti: “Kosova është në krizë, Parlamenti nuk po miraton ligje, pse ju nuk thoni ‘Okej, mos më kandidojnë më mua. Gjeni dikë tjetër, që Kosova të ecë përpara dhe të vazhdojë të miratojë ligje?'”
Në përgjigjen e saj, Haxhiu u shpreh se veprimet e saj dhe të Lëvizjes Vetëvendosje janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. “Aktgjykimi i vitit 2014 e jep të drejtën vetëm subjektit që ka fituar më së shumti mandate të propozojë kryetarin e Kuvendit. Nuk është e drejtë e askujt tjetër ta përcaktojë emrin,” theksoi ajo.
Në lidhje me pyetjen për mundësinë e një kandidati tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, Haxhiu theksoi se ajo nuk është vetpropozuar dhe që ky vendim ka ardhur nga struktura e partisë. “Vetëvendosja ka vendosur dhe vetëm ajo mund ta ndryshojë këtë vendim. Ky proces ka shumë të bëjë me inate politike, sepse nëse ne do të kishim propozuar dikë tjetër, opozita do të kishte gjetur ndonjë arsye për të mos e votuar,” shtoi ajo.
- Advertisement -
Për pyetjen se çfarë mendon për faktin që në pesë seanca nuk është arritur të sigurohen votat, Haxhiu e cilësoi situatën si një “luftë speciale” kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe e lidhi këtë me një mungesë të hapur vullneti për të konstituuar Kuvendin. “Ndoshta kjo është më e lehta nga situatat që kemi kaluar deri tani,” përfundoi ajo.