Zëvendësministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Shemsi Syla, po merr pjesë me një delegacion prej pesë anëtarësh në mbledhjen e Grupit të Kontaktit për Ndihmë Ushtarake ndaj Ukrainës, që po mbahet në Bruksel.
Ky forum, i njohur si instanca më e lartë ndërkombëtare për koordinimin e mbështetjes ushtarake ndaj Ukrainës, ishte themeluar fillimisht nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, pas ndryshimeve në udhëheqjen amerikane me ardhjen në pushtet të Donald Trump, drejtimin e ka marrë pala evropiane, duke i dhënë një dimension të ri bashkëpunimit transatlantik.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë takim nënvizon përkushtimin e saj për sigurinë euroatlantike dhe solidaritetin me Ukrainën në përballje me agresionin rus.