Trysni më e madhe mbi Serbinë po kërkohet edhe për ta nisur zbatimin e marrëveshjes për fatin e personave të zhdukur gjatë luftës. Në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë në Kosovë u ka bërë thirrje qytetarëve, të cilët kanë dëshmi, që t`i dërgojnë pranë kësaj ministrie.
24 vjet pas luftës vazhdojnë të figurojnë mbi 1600 persona të zhdukur. Fati i shumë prej tyre është zbardhur dy dekada pas luftës e shumë të tjerë ende nuk dihet se ku i kanë eshtrat.
Një numër i madh i tyre dyshohet janë të varrosur në varrezat masive në Serbi. Madje ata që janë marrë në vazhdimësi me të pagjetur thonë se ekzistojnë rreth 10 lokacione të ndryshme në shtetin serb me varreza masive.
Por, ky shtet, i cili në kohën e luftës me plan ka vrarë e zhdukur shqiptarë, po heziton të tregojë për këto lokacione. Për këtë, Këshilli Koordinues i familjarëve të personave të zhdukur kërkon nga zyrtarë të lartë të BE-së t’i bëhet presion më i madh Serbisë.
- Advertisement -
“Edhe 10 varreza masive së paku janë në Serbi të cilat në numër i dëshmitarëve serb e tregojnë se ku janë e ata, kërkojë nga emisarët evropian por edhe ai amerikan që të bëjë trysni mbi Serbinë të tregoi për vendet se ku janë”, tha Ahmet Grajçevci, kryetar Këshillit Koordinues për personat të zhdukur
Edhe në Komisionin Qeveritar për Persona të Pagjetur thonë se Serbia me çdo kusht vazhdon t’i ikë kësaj teme. Megjithatë, Andin Hoti deklaron se me formimin e komisionit nga të dyja palët, sipas Deklaratës për të Zhdukurit, ka gjasë të ketë ndonjë rezultat.
Për zhdukjen dhe vrasjen e shumë shqiptarëve ka dëshmie e video të shumta, për të cilat Ministria e Drejtësisë vazhdon të kërkojë nga qytetarët që ato t’i dërgojnë në këtë dikaster.
“Është obligim detyre e përgjegjësi e gjithë neve si qytetarë me bashkëpunu. Kushdo çfarëdo informacioni e dokumenti që ka për t’i dokumentar krimet e luftës e Serbisë ndaj civile”, tha Nazlie Bala, këshilltare politike në Ministrinë e Drejtësisë
Sidoqoftë, për këtë çështje, në maj në Bruksel pala kosovare dhe ajo serbe miratuan Deklaratën për të Zhdukurit, porse miratimi i saj duket që ende nuk ka sjellë ndonjë rezultat.