Në vazhdën e vizitës zyrtare në Estoni, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, u prit në takim nga Presidenti i Republikës së Estonisë, Alar Karis.
Konjufca falënderoi Presidentin Karis për pritjen e ngrohtë dhe i shprehu mirënjohje për mbështetjen e shtetit estonez ndaj Republikës së Kosovës dhe synimeve të saj për integrim në strukturat evropiane e ndërkombëtare.
“Në takim u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm midis dy shteteve mike, duke ndaluar te nevoja e shqyrtimit të mundësive për të forcuar edhe më tutje raportet mes tyre”, thuhet në njoftim.
Kryetari i Kuvendit e njoftoi presidentin estonez me situatën politike në vendin tonë, me ç’rast potencoi përkushtimin maksimal të institucioneve të Kosovë ndaj sigurisë, posaçërisht pas sulmit terrorist në Banjskë, me vetëdijen e plotë të rrezikut që influenca ruse në Serbi përbën për rajonin tonë dhe më gjerë.
- Advertisement -
“Angazhimi për paqen, në kohë si këto, konfirmohet nga gatishmëria për të mbrojtur vlerta tona po aq sa edhe territoret tona, me çdo kusht e me të gjitha mjetet e nevojshme. Kjo është ajo që mbi të gjitha duhet të na sjellë çdo herë e më pranë, gjithnjë e më shumë”, theksoi kryetari Glauk Konjufca.
“Presidenti Estonisë, Karis, pasi potencoi raportet e ngushta që ekzistojnë midis dy vendeve tona, konfirmoi mbështetjen e Talinit zyrtar për Kosovën edhe në të ardhmen”, thekohet ne njoftim.