Ministria e Kulturës ka reaguar pas ndërhyrjes së komunës së Skënderajt në Shtëpinë e Kulturës në Runik. Kjo ndërhyrja ka ardhur pa pëlqimin institucional të MKRS-së si dhe është në kundërshtim me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
Në reagimin e ministrisë së drejtuar nga Hajrulla Çeku, thuhet se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndërmarrë hapat ligjorë për ndalim të punimeve të paligjshme nga ana e autoriteteve komunale.
“I apelojmë komunës së Skenderajt që të ndërpresë veprimet e paligjshme, dhe njëkohësisht rikujtojmë që mbrojtja e vlerave të përbashkëta të trashëgimisë kulturore është përgjegjësi e të gjitha institucioneve shtetërore, qendrore e lokale”, thuhet në reagimin e ministrisë.
MKRS në kuadër të programit vjetor kishte paraparë buxhet për renovimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik.