Kryetari i Komunës së Skenderajt ka mbajtur mbledhje urgjente për ti përgjigjur situatës së krijuar pas të reshurave të pandërprera, që kanë shkaktuar vërshime dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Kryetari i Komunës, Fadil Nura dhe nënkryetari Sami Lushtaku, në takimin e sotëm në orët e hershme të mëngjesit me Bordin e Drejtorëve, kanë marrë vendim që të themelojnë 11 komisione komunale me nga 5 anëtarë secili, të cilët menjëherë do të dalin në teren për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.
Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur gjatë ditës së djeshme, si pasojë e situatës që kërkon reagim të menjëhershëm në teren, sot një pjesë e shërbimeve komunale është e pamundur të ofrohen.
Komuna e Skenderajt njofton se nuk do të ketë orar të punës për Ekzekutivin komunal, deri në përfundimin e procesit të vlerësimit të tërësishëm të dëmeve materiale.