Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës i ka bërë thirrje Komisionit për licencim të federatave në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që urgjentisht të reflektojë dhe ta licencojë FFK-në.
Sipas njoftimit të shtëpisë së futbollit kosovar, KE i FFK-së konstatoi se federata qysh më 09.02.2023 i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret e kërkuara nga Komisioni i MKRS-së, e po ashtu edhe FIFA zyrtarisht e ka informuar Komisionin e MKRS-në, me kërkesë të tyre të fundit, se statuti i FFK-së është në plotni në përputhje me statutin e FIFA-s dhe nuk ka asnjë çështje të hapur të FFK-së pranë FIFA-s.
- Advertisement -
“Po ashtu, KE u informua se edhe anëtarët e FFK-së/klubet, pjesa dërrmuese e tyre, mbi 50%, i kanë plotësuar kriteret e kërkuara për licencim dhe i kanë dërguar të gjitha dokumentet tyre me datë 28.02.2023, si dhe të tjera klube vazhdojnë t’i dërgojnë dokumentet në vazhdimësi”, thuhet në njoftimin pas mbledhjes së KE të FFK-së.
Për këtë arsye, KE i FFK-së pret që Komisioni i MKRS-së të bëjë sa më parë licencimin e FFK-së dhe të klubeve “sepse kjo zvarritje po reflekton në punën e përditshme të tyre dhe realizimin e të hyrave për to nga Ligji i Sponsorizimit”.
“KE konkludoi se Komisioni i MKRS-së nuk ka asnjë arsye thelbësore që të mos e licencojë FFK-në, andaj edhe pret reflektim urgjent nga Komisioni i licencimit, në mënyrë që klubet të mos dëmtohen nga ky proces. Gjithashtu në këtë mbledhje u ofrua edhe njëherë gatishmëria e FFK-së që t’i ndihmojë të gjitha klubet në kompletimin e dokumentacionit të kërkuar nga Komisioni i MKRS-së dhe/ose t’i adresojë këto çështje pranë UEFA-s dhe organeve gjyqësore nëse është e nevojshme”, thuhet tutje në njoftim.
Ndërkohë, Komisioni i MKRS-së ende nuk ka dalë me ndonjë qëndrim rreth situatës së re rreth moslicencimit të FFK-së para 31 marsit, teksa klubet sot kanë paraparë takim për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm në rast të zvarritjes së këtij procesi.