Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka pranuar peticionin për shkarkimin e kryetarit të Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri dhe se bazuar në legjislacionin në fuqi do t`i verifikojë nënshkrimet.
Këtë për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, i cili ka deklaruar se KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi do të verifikojë listën e nënshkrimeve.
“Mund t’ua konfirmoj se deri më tani kemi pranuar kërkesën me nënshkrime të mbledhura për verifikim nga Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut. KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikojë listën e nënshkrimeve, pra nëse nënshkruesit janë qytetarë me të drejt vote në komunën përkatëse”, ka theksuar Elezi.
Nënshkrime për shkaktim të kryetarëve janë mbledhur edhe në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.
- Advertisement -
Afati i mbledhjes së nënshkrimeve për shkarkim të kryetarëve në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut e Zubin-Potok ka përfunduar më 22 janar, ndërsa në Zveçan do të përfundojë më 27 janar.
Për të qenë peticioni i suksesshëm, duhen nënshkrimet e së paku 20 për qind të qytetarëve me të drejtë vote.