Komisioni Evropian akoma pret që shtetet anëtare të miratojnë propozimin e këtij institucioni që edhe serbëve të Kosovës me pasaporta të Serbisë t’u mundësohet udhëtimi pa viza.
Më 16 nëntor të vitit të kaluar, Komisioni Evropian kishte propozuar që qytetarët e Kosovës të pajisur me pasaporta të Serbisë të përfshihen në regjimin e lëvizjes pa viza.
Sipas zëdhënëses së Komsionit Evropian për çështje të brendshme Anitta Hipper, pasi që të miratohet ky propozim dhe i njëjti të hyn në fuqi, atëherë të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perendimor do të udhëtojnë pa viza në Evropë.
Serbët e Kosovës (ata që nuk janë të pajisur me pasaporta të Kosovës) janë të vetmit qytetarë të rajonit që nuk gëzojnë akoma lëvizjen e lirë në zonën Shengen.
- Advertisement -
Zëdhënësja Anitta Hipper konsideron se banorët serb në Kosovë, po ashtu mund të zgjedhin të aplikojnë për pasaporta biometrike të Kosovës, për të udhëtuar pa viza nga 1 janari i vitit 2024.
Kur ishin liberalizuar vizat për Serbinë, qytetarët e Kosovës me pasaporta serbe, ishin përjashtuar nga ky vendim. Njëjtë ndodhi edhe me rastin e heqjes së vizave për Kosovën, ku vendimi përfshinte vetëm bartësit e pasaportave biometrike te Republikës së Kosovës.
Pas propozimit të miratuar nga Komisioni Evropian, me këtë çështje tash merret Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Evropian. E tërë procedura merr kohë, ndërsa shpresohet se propozimi do të miratohet pas procesit të përbashkët ndërinstitucional.
Kundër këtij propozimi ishte deklaruar qeveria e Kosovës. Në argumentimin e saj dërguar selisë së Bashkimit Evropian, ekzekutivi kosovar konsideron se ky propozim pengon integrimin e komunitetit të serbëve të Kosovës dhe legjitimon strukturat paralele ilegale të Serbisë në Kosovë, shuarja e të cilave është kërkuar nga BE-ja.