Komandanti i misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Özkan Ulutas, u takua me komandantin e Komandës së Forcës së Përbashkët Aleate të Napolit, admiralin Stuart B. Munsch në selinë e KFOR-it në Prishtinë.
Në një njoftim të KFOR-it bëhet e ditur se gjeneralmajor Ulutas paraqiti aktivitetet e kësaj force në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në të gjithë Kosovën. Ata biseduan edhe mbështetjen e saj në dialogun e lehtësuar nga BE midis Kosovës e Serbisë.
KFOR-i ka rikujtuar se vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe se KFOR-i vepron si reaguesi i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin për Sundim të Ligjit të Bashkimit Evropian (EULEX), të cilët janë respektivisht reaguesit e parë dhe të dytë të sigurisë.