Avokati Arianit Koci ka reaguar ashpër në Facebook pas largimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i rrethuar nga truprojat, gjatë daljes nga Parlamenti i Kosovës.
Koci e ka konsideruar të pakuptimtë që Kurti të dalë i shoqëruar nga 20 policë përmes dyerve të garazhit të Kuvendit, duke e quajtur këtë sjellje si shenjë frike dhe mungesë përgjegjësie.
“Marre t’koft, Albin – që nuk u ndale! Me hy në Kuvend përmes dyerve të garazhës dhe me dalë i rrethuar me 20 policë, vërtetë nuk ka kuptim. A unë jam ai që po të rrezikoj? Unë që po të pres me pyetje për sqarim: 29 herë Kuvendi pa u konstituuar? Pse? Hajgare me popull? Në vend që të ballafaqohesh, ti futesh fshehurazi dhe del i mbrojtur si në rrezik lufte. Kjo është frikë, jo përgjegjësi. Lideri nuk ikë, lideri del përballë”, shkruan Koci.
Avokati po ashtu njoftoi se ka rinisur protestën para Kuvendit, ku do të qëndrojë gjatë gjithë javës, madje paralajmëroi se do të flejë aty, duke kërkuar zgjidhje për ngërçin politik që ka çuar në moskonstituimin e Kuvendit për të 29-ën herë.