Kisha Ortodokse Serbe hodhi poshtë pretendimet e deputetes britanike se armët e kontrabanduara nga Serbia janë “magazinuar” në ambientet e kësaj kishe në Kosovë. Institucionet e Kosovës janë duke kryer hetim. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 5 korrik se do të ketë informacione pas takimeve me përfaqësuesit e NATO-s në Kosovë dhe institucionet e sigurisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë (REL) për rezultatet e hetimeve të deritanishme. Ndërkohë, zyrtarët serbë kanë kundërshtuar ashpër akuzat në adresë të Kishës Ortodokse Serbe.
Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, theksoi për REL-in rolin kontrovers të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, duke thënë se ajo është një aktor politik. “Kisha Ortodokse Serbe është instrument i ndikimit të autoriteteve serbe, si në Kosovë ashtu edhe në vendet e tjera fqinje”, tha Vogel. Gjithë kësaj i kanë paraprirë pretendimet e deputetes britanike, Alicia Kearns, për deponimin e armëve kontrabandë në ambientet e Kishës Ortodokse Serbe.
Deri në publikimin e këtij teksti, Kearns nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it lidhur me demantet që pasuan deklaratën e saj.
Çfarë ka deklaruar konkretisht deputetja britanike?
- Advertisement -
Alicia Kearns, deputete britanike dhe kryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik, deklaroi në Parlament, më 4 korrik, se armët kontrabandohen nga Serbia në Kosovë me autoambulanca dhe se ato “deponohen” në ambientet e Kishës Ortodokse Serbe.
“Në Qeveri [të Britanisë së Madhe] janë të vetëdijshëm, me ushtarët që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se armët po kontrabandohen përmes kufirit në kishat ortodokse me autoambulanca. Kur trupat tona përpiqen të marrin leje për të shkuar t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që merret leja, shih befasinë, autoambulanca shfaqet në kishë dhe nxjerr përsëri armët”, tha Kearns. Të njëjtën ditë ka reaguar edhe Dioqeza e Rashkës – Prizrenit, duke thënë se është “akuzë shumë e rrezikshme, e cila e kriminalizon Kishën Ortodokse Serbe”. Në një deklaratë, Dioqeza kërkoi që urgjentisht të hetohen akuzat e bëra nga deputetja britanike. REL- i është drejtuar Kishës Ortodokse Serbe, me seli në Beograd, për të dhënë një koment, por nga ky institucion udhëzuan t’iu referoheshim komunikatave të Dioqezës së Rashkës- Prizrenit.