Përveç pengesave politike, Serbia në vazhdimësi ka tentuar ta minojë Kosovën edhe në aspektin ekonomik. Prodhuesve të ndryshëm kosovarë gjatë këtij vitit i është pamundësuar eksportimi i mallrave në Serbi si pasojë e barrierave të reja ndaj prodhimeve “Made in Kosova”, një pjesë e të cilave janë bllokuar në depot doganore. Përfaqësues të bizneseve kanë kërkuar që Kosova t’i kundërpërgjigjet Serbisë në të njëjtën mënyrë. Për këto pengesa, Qeveria e Kosovës e ka njoftuar Bashkimin Evropian.
Masa të njëjta reciproke kanë kërkuar përfaqësuesit e bizneseve ndaj Serbisë e cila ka vendosur barriera të reja ndaj prodhuesve kosovarë, duke ua pamundësuar eksportin e mallrave në këtë shtet. Produktet e shumë prodhuesve gjatë këtij viti janë bllokuar deri në një muaj në depot doganore, për shkak të analizave laboratorike që janë kërkuar nga Serbia.
“Produkti i Kosovës po ka shumë vështirësi me dal në tregun e tyre. Vonohen maunat në terminale doganore më shumë se 10-30 ditë për një certifikatë të analizave. Qëllimi është t’i ndihmojmë produktet e Kosovës të eksportohen. Duhet të ja kthejmë masat e njëjta”, deklaroi Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës
Edhe Zana Beqiri, drejtoreshë Ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, ka deklaruar për këto pengesa.
- Advertisement -
“Janë raportuar disa probleme të cilat janë më shumë administrative vonesa për një certifikatë sanitare, gjëra që sish dash me ndodhë sikur të ishte një frymë më e mirë e bashkëpunimit nga autoritetet atje. Është e rëndësishme që si shtet ta masim progresin e raportit mes dy vendeve bazuar në numrin e këtyre problematikave”, tha ajo.
Nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të televizionit nëse do të marrin ndonjë masë ndaj produkteve serbe.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se për sfidat me të cilat po ballafaqohen bizneset nga shteti serb, e kanë njoftuar Bashkimin Evropian.
“Një prej sfidave të kompanive tona vendore, veçanërisht në fushën e eksportit, vazhdimisht ka qenë sjellja destruktive e Serbisë që në forma të ndryshme ka penguar lëvizjen e lirë të mallrave në pikat kufitare apo në territorin e saj. Ne i kemi dhënë një mundësi procesit të dialogut dhe Marrëveshjes Bazike. Besojmë që ajo, në përmbajtje të saj, sidomos në pikat 1, 2 dhe 4 ofron, ndër tjerash, zgjidhjen e duhur për sfidat e bizneseve tona por edhe garanton reciprocitet duke njohur dokumentet zyrtare të njëra-tjetrës”, thuhet në përgjigjen e qeverisë për RTK.
Vetëm gjatë vitit 2022, Kosova kishte importuar mallra me vlerë mbi 371 milionë euro nga Serbia, ndërsa kishte eksportuar produkte në vlerë prej 60.7 milionë eurove.