Vëllai i Donjeta Pajazitajt, Shkëlqimi, është shprehur tejet i irrituar me vendimin e Gjykatës Supreme për ta liruar të akuzuarin për vrasjen e motrës së tij.
Supremja të enjten ka vendosur ta lirojë Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, në nëntor të 2015-s në bjeshkët e Deçanit.
Shkëlqim Pajazitaj ka thënë se me këto vendime po tregohet se sa e fëlliqur është drejtësia e Kosovës. Ai shprehet i mërzitur edhe për faktin që pas tetë vjetëve ende nuk ka drejtësi për vrasjen e motrës së tij.
“Drejtësia e Kosovës edhe njëherë vërtetoi se sa e fëlliqur është, edhe njëherë vërtetoi se njerzillëku nuk ekziston, vërtetoi që njerëzimi që punon aty e shesin fytyrën për para. Nga sot e tutje, ne nuk kemi besim as në Polici, as në Gjykatë, as në Prokurori – kur që 7 vjet nuk ishin në gjendjen me zbulu të vërtetën. Këta janë më shumë të interesuar të marrin një pagë nga shteti sesa ta vënë drejtësinë në vendin e tyre”, ka shkruar Shkëlqimi në Facebook.
- Advertisement -
“Shteti po vret”, ka shkruar në fund ai.
Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017, Naser Pajazitaj akuzohej se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan, në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.