Ka filluar takimi i thirrur nga presidentja e vendit Vjosa Osmani, me përfaqësues të partive politike. Në takim do të diskutohet lidhur me caktimin e datës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Nga Partia Demokratike e Kosovës po merr pjesë, kryetari Memli Krasniqi, nga Lidhja Demokratike, kryetari Lumir Abdixhiku, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, Mimoza Kusari nga Alternativa dhe Faton Peci udhëheq “Listën GUXO.
Kryeministri Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk po merr pjesë në këtë takim.
Nga Qeveria kanë thënë për RTK-në se kryeministri po merr pjesë në një drekë më ambasadorë. Sipas Qeverisë, Kurti ka sugjeruar që Lëvizja Vetëvendosje të përfaqësohet nga nënkryetari i parë i saj, Glauk Konjufca. “Kryeministri po merr pjesë në një drekë me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë, ku është i ftuar si mysafir nderi. Dreka është caktuar me 10 korrik. Konfirmimi nga ana e kryeministrit për këtë drekë është bërë para tre jave. Në pamundësi për të marrë pjesë në orarin e propozuar, kryeministri Kurti ka sugjeruar që LV të përfaqësohet nga nënkryetari i parë i saj, Glauk Konjufca. Gjë që konsiderojmë që do të duhej të ishte e pranueshme. Kryeministri Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në çdo takim të ardhshëm në një ditë dhe orë të përshtatshme”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
- Advertisement -
Por as Glauk Konjufca nga VV, deri më tani është në takimin e thirrur nga Osmani.
Pas takimit Presidentja Osmani mban konferencë për media në hollin e Kabinetit të Presidencës.
Ndryshe në pajtim me afatin e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës zgjedhjet e rregullta për Kuvend, duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 Janar – 16 Shkurt 2025. Rrjedhimisht, në pajtim me përcaktimet e Kushtetutës dhe Ligjit, më 26 korrik 2024, fillon zyrtarisht faza brenda së cilës mund të zhvillohen konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve.