Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden i zbulohet një tjetër grumbull dosjesh sekrete të periudhës kur ishte zv/president, në administratën e Barack Obama-s.
Mediat amerikane bëjnë të ditur se grumbulli i dytë i dosjeve u gjet nga disa ndihmës të Biden-it, por nuk bëhet i ditur vendi se ku u gjetën. Dosjet e para që përmbanin 10 dokumente sekrete, iu gjetën Biden-it në Nëntor nga hetuesit e Departamentit Amerikan të Drejtësisë, në zyrën që ka pasur në një institut kërkimor për çështje politike në Uashington para se të merrte postin e presidentit.
Joe Biden u shpreh i surprizuar për gjetjen e këtyre dosjeve dhe tha se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me drejtësinë. Në Dhomën e Ulët që kontrollohet tashmë nga republikanët pritet të nisë një hetim për këtë çështje.
Kur kishin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët hapën një komision hetimor për më shumë se 300 dokumente sekrete që iu gjetën ish-presidentit Donald Tramp në rezidencën Mar a Lago që nuk i kishte dorëzuar pasi la postin, siç parashikon ligji. Për këtë, është nën hetim nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.