Testim me shkrim të mësimdhënësve nuk do të ketë.
Kështu këmbëngul, Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, duke iu kundërpërgjigjur ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila përsëri u shpreh e bindur se ky proces do të zhvillohet.
“Nuk ka pasur, nuk ka dhe as nuk do të ketë testim të mësimdhënësve për licencimin e tyre. Mësimdhënësit që janë pjesë e sistemit të arsimit, që kanë licencë fillestare, të avancuar apo të përhershme njohuritë e tyre i kanë testuar në fakultete”, deklaroi Jasharaj për KlanKosova.tv.
Megjithatë ai përmend një version kur mësimdhënësit mund të testohen e me të cilin edhe SBAShK-u është dakord.
- Advertisement -
“Edhe në bazë të ligjit të pagave, është paraparë që ata që duan të ngriten në karrierë do të mund t’i nënshtrohen ndonjë vlerësimi, varësisht se si parashihet nga MASHTI. Pra, ata obligohen që të nxjerrin rregulloren e cila e përcakton formën e vlerësimit, që mund të jetë edhe ndonjë testim”, tha ai.
“Pra, vlen për ata që duan ta sfidojnë vetën edhe të ngriten në karrierë e që kjo do të nënkuptojë edhe rritjen e pagës. Këtë rast ne nuk do të jemi kundër. Pra për ata që duan marrjen e licencës së avancuar. Në të kundërtën, mësimdhënësit le të rrinë të qetë sepse nuk do të kenë testim”, tha i pari i SBAShK-ut.
Reformën e prezantuar nga Ministria e Arsimit, po e vlerëson Rinor Qehaja, drejtori i Instutit Ed Guard.
Qehaja për Klankosova.tv tha se sistemi i licencimit të mësimdhënësve duhet të jetë super i mirëpritur nga të gjithë mësimdhënësit. Ai renditi edhe arsye se pse duhet të përkrahet kjo.
“Pasi që rregullon rrugëtimin në karrierë të mësimdhënësve. Kapërcimi nga licenca e karrierës në atë të avancuar ka disa kritere, përfshirë këtu: 1) provimin kualifikues; 2) 200 orë të zhvillimit profesional; dhe 3) përgatitja e portofolios si dëshmi e punës”, tha Qehaja.
- Advertisement -
Eksperti i arsimit vlerëson se kjo reformë është e rëndësishme që të mos keqinterpretohet.
“Pasi që nuk paraqet testim të të gjithë mësimdhënësve, por, kritere vlerësuese të mirëpërcaktuara për ata mësimdhënës që i kanë më shumë se 8 vjet përvojë pune dhe dëshirojnë të avancohen në licencim”, theksoi ai për Klankosova.tv
Sot, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, në aktivitetin përmbylles të Projektit Qatek, është shprehur e bindur se mësimdhënësit do të duhet aplikojnë për t’u pajisur me licencë të avancuar.
- Advertisement -
“Ne tashmë kemi miratuar pakon ligjore për licencimin e mësimdhënësve. Aty kemi licencën e avancuar për të cilën jam e bindur që ka mësimdhënës të cilët do të aplikojnë për këtë licencë”, shtoi e para e MASHTI-t
“Angazhimi jonë duhet të jetë edhe pas rezultateve të PISA-s, për të cilën tashmë kemi bërë një bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit për analizimin e këtyre rezultateve”,tha ajo.