Nga 5 maji 2025, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt Izraelit pa vizë për qëllime turistike. Lajmin e ka bërë të ditur Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, përmes një postimi në platformën X.
Sipas ambasadores, Kosova është përfshirë në listën e vendeve që përjashtohen nga regjimi i vizave për hyrje në Izrael, për vizita që nuk zgjasin më shumë se 90 ditë. Megjithatë, shtetasit kosovarë duhet të pajisen paraprakisht me autorizimin elektronik për udhëtim, të njohur si ETA-IL.
“Të gjithë shtetasit e Kosovës që planifikojnë të vizitojnë Izraelin duhet të aplikojnë për ETA-IL të paktën 72 orë para mbërritjes. Një ETA-IL i miratuar tregon se ju lejohet të udhëtoni në Izrael dhe të qëndroni deri në 90 ditë për çdo vizitë,” ka deklaruar Ambasadorja Ziv.
Ajo ka theksuar gjithashtu se udhëtarët duhet të kenë një pasaportë të vlefshme të Kosovës dhe një miratim aktiv të ETA-IL përpara nisjes së udhëtimit. Procesi i aplikimit për ETA-IL, sipas saj, është i thjeshtë dhe i shpejtë për ata që i plotësojnë kushtet.