Veprimtaria letrare e shkrimtarit të madh Ismail Kadare do të ruhet në një pavijon të veçantë të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Lajmin e jep kryeministri Edi Rama. Ai thotë se familjarët e Kadaresë kanë dorëzuar për ruajtje të gjithë koleksionin e tij, ku përfshihen edhe dorëshkrime, skicë idesh, dorëshkrime të veprave të pabotuara si dhe drafte fillestare të punimeve të tij.
“Familjarët e shkrimtarit të madh kanë dorëzuar për ruajtje, administrim, restaurim dhe digjitalizim të gjithë koleksionin e tij letrar përfshirë dorëshkrime, skicë idesh, dorëshkrime të veprave të pabotuara si dhe drafte fillestare të punimeve të tij”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Për t’i dorëzuar ato në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave ishte vajza e shkrimtarit të madh, Gresa Kadare.
“Ismailit në Paris para disa viteve i janë afruar plot institucione të huaja, qofshin franceze, Universiteti i Sorbonës, Akademia e Francës. Ata donin të merrnin plotësisht ose pjesërisht një pjesë të arshivave, sigurisht me mendimin e Ismailit. Erdhi edhe një propozim shumë interesant nga Universiteti i Princetone në New York. E shikoja që Ismaili hezitonte, ishte në mëdyshje, diçka e pengonte dhe nuk ka dhënë përgjigje të qartë. Unë i thashë më vonë si e ke menduar, në diskutim mes ne të dyve. Çfarë do të bëhet me arkivën tënde, të marrim një vendim. Nuk di tha ç’të bëj sepse dua që arkivi të kthehet në Shqipëri, por nuk di cilit institucion t’ia besoj. Ai nuk dha përgjigje të prerë, por unë në mënyrë subliminale vendosa me iniciativën t’ia plotësoj këtë amanet duke ju dhënë juve besimin total sepse është shumë e vështirë qoftë një institucioni serioz gjëra kaq të vyera. Jam shumë e prekur, pashë në zyrën tuaj kodikët e Beratit, që prehen këtu. Më emocionon ideja që dorëshkrimet e Ismailit do të jenë në shoqëri të mirë, pranë kodikëve të Beratit”, tha ajo.
- Advertisement -
Ismail Kadare ndërroi jetë më 1 Korrik në moshën 88 vjeçare nga një arrest kardiak. Veprat e tij të përkthyera në 45 gjuhë të botës bënë të njohur në arenën ndërkombëtare gjuhën dhe letërsinë shqipe. Sa ishte gjallë, Kadare është nderuar me shumë çmime e tituj prestigjiozë ndërkombëtarë.
Shumë herë ai ka qenë kandidat edhe për çmimin Nobel, por ndonëse asnjëherë të fituar, Kadare mbetet sot shkrimtari më i njohur shqiptar në botë.