Nga sot patent shoferët e Kosovës do të njihen në Itali si dhe anasjelltas. Kështu ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme për hyrjen në fuqi të zbatimit të marrëveshjes reciproke për njohjen e patentëshoferëve.
“Njohja e patentëshoferëve u mundëson qytetarëve të bëjnë konvertimin e dokumenteve pa pasur nevojë të nënshtrohen procedurave shtesë, as nga pjesa teorike, as nga pjesa praktike”, thuhet në njoftim.
MPB thekson se ky është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Republikën e Italisë.
“Njëkohësisht, kjo marrëveshje do të lehtësojë barrën ekonomike për qytetarët që kanë nevojë ta ndërrojnë dokumentin. Finalizimi i këtij procesi është një hap i rëndësishëm për vendin tonë dhe qytetarët tanë, sepse me këtë rast do të riafirmohen raportet e shkëlqyera që gëzojnë Republika e Kosovës me Republikën e Italisë”, vazhdon njoftimi.